Lidhje

Thaçi: Objektivi im dhe i gjithë politikës kosovare është të thellohet bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, zoti Hashim Thaçi, ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të administratës amerikane, zyrtarë të organizmave ndërkombëtare dhe përfaqësues të qarqeve të ndryshme politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, gjatë qëndrimit në Uashington ju u takuat edhe me Nënsekretarin e Shtetit, Nikolas Burns. Çfarë qëndrimi konkret pritet nga administrata amerikane në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës?

Hashim Thaçi: Objektivi im dhe i gjithë politikës kosovare vazhdimisht ka qenë që të thellohet bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse partneriteti i qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara ka ndikuar që Kosova të çlirohet dhe sot thellimi i bashkëpunimit do të ndikojë edhe në zgjidhjen e drejtë të statusit politik, do të thotë për Kosovën e pavarur dhe sovrane. Unë në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës kam garantuar se ne do t’i garantojmë të drejtat e të gjithë qytetarëve në Kosovë, respektimin e të drejtave të minoritarëve, avancimin e të drejtave të tyre, respektimin e veprimit afirmativ, integrimin e tyre në institucione dhe shoqëri, do të ndërtojmë rend demokratik me respektimin e ligjit, do të ndërtojmë mekanizma adekuate për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe do të ndërtojmë thjesht një shtet të pavarur, demokratik, i cili do të ndërtojë edhe raporte shumë të mira me shtetet e rajonit. Por ndërkohë kam kërkuar gjithashtu që edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga gjithë komuniteti ndërkombëtar të kemi garanci për njohjen e shtetit të Kosovës. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është se Uashingtoni do ta njohi zgjidhjen apo realitetin që kosovarët do të meritojnë. Kosovarët e meritojnë shtetin e pavarur e do ta jetësojmë në praktikë bashkë me ndërkombëtarët.

Zëri Amerikës: Një ndër kërkesat kryesore të procesit është decentralizimi i pushtetit. Qeveria në Kosovë ka paraqitur një plan i cili nuk është pranuar nga opozita. A keni ju një alternativë për zgjidhjen e çështjes së decentralizimit. Çfarë i propozoni komunitetit të pakicës?

Hashim Thaçi: Fillimisht dua të theksoj se për Kosovën nuk është zgjidhje një pavarësi, por pavarësia e plotë. Sepse një vend mund të jetë i pavarur, ose jo i pavarur. Prandaj ne kërkojmë dhe po punojmë që të krijojmë Kosovën e pavarur, me kushtet, rrethanat dhe mekanizmat integrues në Bashkimin Evropian dhe në Nato, por edhe të kemi integrim apo pjesëmarrdhje të drejtpërdrejtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj edhe në kuadër të avancimit të procesit demokratik dhe zbatimit të standarteve demokratike të gjithë në Kosovë jemi pajtuar që të punojmë bashkarisht, pozitë dhe opozitë për reformimin e pushtetit lokal, sipas standarteve ndërkombëtare. Ekipi politik i delegacionit të Kosovës ka bërë punë të mirë, ka ndërtuar kornizën e përgjithshme për negocimin e procesit të reformimit të pushtetit lokal, një proces që do të nënkuptonte integrimin e të gjithë qytetarëve, avancimin e të drejtave të pakicave, integrimin e tyre në institucione dhe shoqëri, por në asnjë mënyrë ndarje të brendshme territoriale apo në vija etnike, që më vonë do të ndikonin edhe në ndarjen territoriale të Kosovës. Unë edhe më parë kam theksuar se elementë të Marrëveshjes së Ohrit do të duhej të mbarteshin në Kosovë, sepse është një histori e suksesshme e komunitetit ndërkombëtar, por edhe e rajonit që ka nënkuptuar integrimin e të gjithë qytetarëve sipas vlerave të civilizimit bashkëkohor, dhe në asnjë mënyrë ndarjeve territoriale. Beogradi pretendon të ketë ndarje territoriale në Kosovë, ne pretendojmë integrim. Ne do të punojmë edhe më tepër që bashkarisht me komunitetin ndërkombëtar të mbështetet varianti më i mirë i punuar prej kosovarëve.

Zëri i Amerikës: Më konkretisht si e shihni të materializohet ky proces i decentralizimit?

Hashim Thaçi: Fillimisht dua të theksoj se keq-qeverisja aktuale në Kosovë ka rrezikuar edhe statusin e pavarësisë së Kosovës. Është meritë tani edhe e forcave opozitare që kanë hyrë në proces dhe kanë marrë një rol aktiv në politikë dhe në ndërtimin e konceptit për procesin negociues për shtetin e pavarur dhe sovran. Tani të gjithë jemi duke punuar bashkërisht në procesin për status. Besoj se në këtë çështje do të kemi një përkushtim të të gjithë spektrit kosovar, të personaliteteve publike, do të kemi një përgatitje adekuate që do të finalizohet me jetësimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet, sepse me Serbinë ne mund të jetojmë njëri pranë tjetrit, por në asnjë mënyrë në një shtëpi. Pra për Kosovën duhet të vendosin vetë qytetarët e Kosovës. Për sa u përket çështjeve të tjera, ne do të punojmë edhe për reformimin e pushtetit lokal edhe për çështjen e respektimit të monumenteve kulturore, historike, të çështjes së pronës dhe çështje të tjera që do të hapen në procesin e ardhshëm negociues. Pra do të negociojmë për të gjitha çështjet e domosdoshme që janë për të negociuar, por në asnjë mënyrë për vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Prishtinës merr tani në duar drejtimin e dy Ministrive të rëndësishme, ministrisë së Rendit dhe asaj të Drejtësisë. Duket se lufta për pushtet ka marrë epërsi në procesin për drejtimin e këtyre institucioneve. Sa e dëmtojnë përplasjet e brendshme politike procesin e negociatave?

Hashim Thaçi: Unë mendoj se nuk ka përplasje të brendshme politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Përplasjet janë brenda koalicionit aktual, që po tregohet përsëri i paaftë për të ndërtuar institucione demokratike, e aq më pak për të funksionuar në mënyrë demokratike. Duhet falenderuar dhe respektuar autoriteti ndërkombëtar që ka ndikuar për të ndërtuar institucionet e drejtësisë dhe të rendit publik, por është edhe për të ardhur keq paaftësia, dobësia e qeverisjes aktuale që nuk është e gatshme t’i marrë kompetencat në duart e veta për të ndërtuar struktura të drejtësisë në bazë të reformave demokratike, si dhe ato të rendit në mënyrë që Kosova më në fund t’i ketë institucionet e veta shtetërore.

//ic//

XS
SM
MD
LG