Lidhje

Zonja e parë Laura Bush njofton një financim të ri për luftën kundër Sidës në Nigeri


Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Laura Bush gjatë vizitës në Nigeri njoftoi një program prej 163 milionë dollarësh për parandalimin e Sidës në këtë vend, ku 5% e popullatës së rritur është e infektuar me virusin HIV, që shkakton Sidën. Zonja Bush foli sot me gazetarët rreth programit në spitalin katolik të Shën Marisë pranë kryeqytetit Abuja, ku ajo u takua me punonjës të shëndetësisë dhe pacientët me Sidë. Zonja e parë po zhvillon një turne katër ditor në Afrikën Perëndimore që përfshiu ndalesa në Gana dhe Liberi.

Zonja Bush dhuroi gjithashtu ilaçe anti-retrovirale për të ndihmuar përpjekjet e spitalit për të ndaluar transmetimin e sëmundjes nga nëna tek foshnja.

Faith Uche është diagnostikuar me virusin HIV që nga viti 2003. Por me ndihmën e spitalit fëmijët e saj kanë lindur pa virusin HIV. Ajo i tha zonjës Bush se ishte e frikësuar kur mësoi se ishte e infektuar, e trembur se do të vdiste ditën tjetër.

Përkundrazi, ajo dhe burri i saj Sani i cili është pa virusin HIV janë pjesë e një grupi këshillues për çiftet e prekura nga sëmundja.

"Ne jemi në grupin mbështetës. Kur vijmë këtu, ata na inkurajojnë. Faktikisht kur mëson se je i infektuar me kete virus gjithmonë humb shpresën. Por falë kujdesit që po tregohet për ne, na inkurajojnë dhe ndjehemi mirë", tha ajo.

Zonja Bush falenderoi Faith Uche-n që tregoi historinë e bashkëshortit të saj si një shembull i mirë për nigerianët:

"Është shumë e rëndësishme për njerëzit që janë te infektuar me virusin HIV të kërkojnë ndihmë, t’u tregojnë njerëzve të tjerë se mund të bëjnë analiza dhe të zbulojnë se mund të jetojnë një jetë të lumtur dhe të gëzuar. Ky është mesazhi që kërkojmë të përhapim në mbarë botën, për ata që mund të jenë të infektuar dhe për të tjerët që nuk do të jenë kurrë të infektuar por duan të dinë se ata që janë te infektuar mund të jetojnë dhe të japin kontributin e tyre në botë e në shoqëri".

Zonja Bush tha se parandalimi i kalimit të virusit nga nëna tek foshnja është veçanërisht i rëndësishëm në luftën ndaj sëmundjes pasi mbron gjeneratën e ardhshme. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për spitalin e Shën Mërisë përfshin 500 mijë dollarë për keshillime, analiza dhe terapi anti-retrovirale dhe kujdes në shtëpi.

XS
SM
MD
LG