Presidenti Bush i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi popullit të Kosovës për vdekjen e Presidentit Ibrahim Rugova. Për shumë vite, thuhet në mesazh, Presidenti Rugova udhëhoqi fushatën për paqe e demokraci në Kosovë dhe ai fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
Shtetet e Bashkuara, thekson Presidenti Bush, humbën një mik të vërtetë. Përmes viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arësyes dhe maturisë, që ndihmoi popullin e Kosovës të hedhë themelet e një të ardhmeje paqësore.
Humbja e një zëri të tillë, në një moment vendimtar për Kosovën, është veçanërisht tragjike. Presidenti Bush shpreh angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar gjithë banorët në Kosovë për një ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe të begatë.