Në Tiranë shefi i delegacionit të Komisionit Europian, Lutz Salzman deklaroi sot se sipas të gjitha gjasave Shqipëria do të nënshkruajë marrëveshjen e asocim stabilizimit me Bashkimin Europian brenda verës së këtij viti.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë prezantimit të një dokumenti të ri të Brukselit që përmban masa dhe insrumenta të reja për ndihmuar vendet e Ballkanit perëndimor në rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Europian mes të cilave dhe nisma për lehtësimin e vizave.
Komisioni Europian kishte paralajmëruar se në pranverë të këtij viti do t’i propozonte Këshillit Europian, pra vendeve anëtare të Bashkimit nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Shqipërinë. Sot ambasadori Lutz Salzman, shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë tha se shpreson që brenda muajit shkurt të mbyllen bisedimet duke i hapur kështu rrugë miratimit të tij nga 25 vendet: "Bisedimet teknike të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Shqipërinë thuajse janë plotësuar. Ne shpresojmë që në muajin shkurt ky tekst të siglohet, pra të mbyllen bisedimet. Ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes do të vijë në një fazë të dytë pasi të merret aprovimi i të gjitha vendeve anëtare", shpjegoi ambasadori Salzman i cili shtoi se shpresonte dhe se sipas të gjitha gjasave nënshkrimi do të bëhet përpara verës së këtij viti.
Sipas mbasadoprit Salzman presidenca austriake e BE do të ishte e kënaqur që kjo të arrihej gjatë mandatit të saj. Këto koment zoti Salzman i bëri gjatë prezantimit në Tiranë të një dokumenti të ri të Brukselit i qujatur Komunikimi me Ballkanin Perëndimor rrugës për në Bashkimin Europian.
Ky document u paraqit në Bruksel nga komisioneri për zgjerimin Olli Rehn dhe njëkohësisht nga të gjitha përfaqësitë e Komisionit Europian në vendet e rajonit. Dokumenti synon të nxisë tregtinë, zhvillimin ekonomik, lëvizjen e njerëzve, arsimin, bashkëpunimin rajonal dhe dialogun e shoqërisë civile në Ballkan.
Në pak fjalë Brukseli synon të japë një tjetr sinjal se do të këmbëngul në intregrimin e vendeve të rajonit. Ndër masat që parashikohen janë edhe ato për lehtësimin e vizave për Ballkanin perëndimor. Sipas ambasadorit Salzman pritet që Brenda vitit 2006 këto masa të miratohen dhe zbatohen. Ato kanë të bëjnë me lehtësimin dhe shkrutimin e procedurave të lëshimit të vizave.
Po sot u njoftua se Presidenti i Komisionit Europian, Barroso do të vizitojë Ballkanin në gjysmën e dytë të muajit shkurt. Më datë 18 ai do të jetë në Tiranë I shoqëruar dhe nga komisioneri për zgjerimin Oli Rehn. //rd//