Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, thotë se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me vendet dhuruese për të ndaluar ndihmën për një qeveri palestineze të kryesuar nga Hamasi, nëse ajo nuk heq dorë nga dhuna dhe nuk njeh të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.
Sekretarja Rajs do të diskutojë rreth kësaj çështje sot në një takim në Londër me partnerët e tjerë në katershen ndërkombëtare për Lindjen e Mesme, Kombet e Bashkuara, Rusinë dhe Bashkimin Evropian.
Zonja Rajs thotë se Uashingtoni do të shqyrtojë mundësinë e përmbushjes së angazhimit për ndihma për administratën palestineze të Presidentit Mahmud Abaz ndërkohë që vazhdon procesi i formimit të qeverisë së kryesuar nga Hamasi.
Në Jeruzalem, kancelarja gjermane, Angjela Merkel, tha dje se Bashkimi Evropian nuk do të financojë një qeveri të kryesuar nga Hamasi.
Izraeli ka lënë tashmë të kuptohet se mund të mos vazhdojë transferimin e dhjetëra miliona dollarëve të mbledhur në emër të Autoritetit Palestinez në formën e të ardhurave nga taksat dhe tarifat doganore. (xh)