Lidhje

Shqiptaro-amerikanët kërkojnë vëmendjen e Uashingtonit ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi


Ndërkohë që në hotelin Hilton në Uashington po zhvillohej mëngjesi i lutjeve, jashtë një grup shqiptaro-amerikanësh mbajtën një demonstrate për të tërhequr vemendjen ndaj shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Demonstrata u organizua nga shoqata shqiptaro-amerikane Malësia e Madhe me qëndër në Detroit, në bashkëpunim me mbarë komunitetin e diasporës në Shtetet e bashkuara.

Kryetari i shoqatës Malësia e Madhe, Prenk Ivezaj i tha Zërit të Amerikës se shqiptarët në mërgim janë tepër të shqetësuar rreth gjendjes së të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë pranë qeverisë malazeze dhe ta detyrojë apo bindë atë që të njohë të drejtat shoqërore dhe ekonomike të pakicës shqiptare në përputhje me identitetin e saj kulturor e të traditës. Zoti Ivezaj tha se shqiptarët e diasporës kërkojnë që pakica shqiptare në Mal të Zi të trajtohet e të ketë të njëjta të drejta siç ka pakica serbe në Kosovë si dhe të gjitha pakicat e kombësive të tjera në Ballkan.

Ndërsa veprimtari shqiptaro-amerikan nga Detroiti, Marash Nucullaj thotë se ka ardhur në Uashington, para hotelit ku po zhvillohet mëngjesi tradicional i lutjeve, për t’u transmetuar udhëheqësve e politikanëve nga mbarë bota se shqiptarët në Mal të Zi duhet të trajtohen si pakicë e denjë dhe duhet të kenë të gjitha të drejtat që gëzojnë malazezët e serbët që banojnë në këtë republikë. Zoti Nucullaj thotë se ndërsa Mali i Zi përpiqet për shkëputje e pavarësi nga Unioni Serbo-Malazez, çdo hap për referendum mbi këtë çështje duhet të ndërpritet, nëse më pare nuk trajtohet gjendja e vështirë e shqiptarëve në Mal të Zi.

Veprimtari Lek Lulguri, ish-deputet shqiptar në Mal të Zi, tashmë me banim në Detroit thotë se me gjithë përparimet në trajtimin e pakicave në Ballkan, shqiptarët në Mal të Zi vazhdojnë të jenë të diskriminuar në arsim, kulture e në përfaqësim. Ai thotë se shqiptarët sot përbëjnë mbi 8 përqind të popullates së përgjithshme në Mal të Zi, ndërsa të punësuar e të përfaqësuar në organet shqetërore në komunat e banuara kryesisht prej tyre, shqiptarët zënë shifrën 1 përqind. Në komunën e Ulqinit, thotë ai, ku shqiptarët përbëjnë 85 përqind të popullsisë, 90 përqind e prokurorëve e gjyqtarëve janë malazezë të ardhur prej krahinave të tjera.

Ndërsa veprimtari Luigj Gjokaj thotë se më 3 shkurt të vitin 1994, mbarë shqiptarët u ndjenë krenarë kur Nënë Tereza hapi mëngjesin e lutjeve në Uashington duke u bërë thirrje të ftuarve nga mbarë bota që të ndihmojnë njerëzit e popujt në nevojë. Zoti Gjokaj thotë se është sot pikërisht kjo thirrje që shqiptarët e Amerikës u kujtojnë të ftuarve në mëngjesin e lutjeve: Ndihmoni popujt në nevojë, ndihmoni shqiptarët në Mal të Zi për të gëzuar të drejtat që u takojnë.

XS
SM
MD
LG