Kryeministri danez Anders Fogh Rasmussen u takua sot në Kopenhagë me të paktën 70 diplomatë nga vendet myslimane, në përpjekje për të qetësuar zemërimin e shkaktuar nga karikatura e profetit Muhamed në një gazetë daneze. Ai tha se është thellësisht i shqetësuar nga reagimi me të cilin janë pritur karikaturat, por nuk kërkoi ndjesë për botimin e tyre. Ai theksoi se gazetat daneze janë të lira dhe nuk kontrollohen nga qeveria.
Ambasadori i Egjiptit, Mona Omar Attia, tha se gazeta daneze që botoi për herë të parë karikaturën duhet të kërkojë ndjeqë për të qetësuar botën myslimane. Gazeta ka kërkuar falje që karikatura ka shkaktuar fyerje, por ka theksuar edhe të drejtën e saj për fjalë të lirë. Karikaturat dolën për herë të parë në shtator dhe që atëhere janë ribotuar nga shumë gazeta të tjera evropiane në shenjë solidariteti për lirinë e shtypit. Por shumë gazeta të tjera i kanë kritikuar ato si banale dhe ofenduese.
Sekretari i Jashtëm britanik Jack Straw tha se ribotimi i tyre tregon mungesë respekti. Departamenti i Shtetit ka lëshuar një deklaratë të ngjashme. Myslimanë të zemëruar kanë protestuar në mbarë botën.//lk