Lidhje

Mishel Kuan tërhiqet nga Lojrat Olimpike


Ylli amerikan i patinazhit artistik Michelle Kwan u dha fund përpjekjeve të saj për të marrë medalje Olimpike në Lojrat Dimërore të Torinos. Një dëmtim i ri e detyroi kalifornianen 25-vjeçare të tërhiqet nga gara.

Kryetari i Komitetit Olimpik Amerikan Piter Ueberoth e bëri njoftimin zyrtar në Torino. "Komiteti Olimpik Amerikan njofton sot se Michel Kuan, 5 herë kampione e botës dhe 9 herë kampione amerikane, ka vendosur të tërhiqet nga Lojrat Olimpike të vitit 2006 për shkak të një dëmtimi të ri të muskulit të këmbës."

Pas njoftimit, Michel Kuan, me pamje të dëshpëruar bëri komente për gazetarët: "Do të dëshiroja të isha këtu në gjendje më të mirë. Ju e kuptoni se pas asaj që më ndodhi dje në akull kur ndrydha përsëri muskulin e këmbës, nuk më duket se kam shanset e duhura. Unë i respektoj shumë Lojrat Olimpike prandaj nuk mund të konkurroj në këtë gjendje,” tha Michelle Kuan.

Patinatorja Kuan nuk mori pjesë në garat për Çmimin Madh për shkak të një dëmtimi të kofshës, pastaj përsëri nuk qe e pranishme muajin e kaluar në Kampionatin Kombëtar amerikan po për shkak të dëmtimit të këmbës. Por pas një paraqitjeje dinjitoze në një garë vëzhgimi më 27 janar, Kuan u lejua nga mjekët t’i bashkohej ekipit amerikan që do të shkonte në Torino. Pas udhëtimit të gjatë me avion për në Itali dhe pas marshimit në ceremoninë e hapjes së Lojrave, Michel Kuan filloi të kishte dhimbje. Të shtunën ajo u rrëzua keqazi në stërvitje dhe u largua më herët prej saj, gjë që nuk është tipike për këtë patinatore.

Kuan, e cila ka fituar një medalje olimpike bronxi dhe një argjendi në lojrat e kaluara, iu mbushën disa herë sytë me lot ndërsa shprehte ndjenjat e saj në konferencën me gazetarët. "Gjithnjë ka qenë ëndërr për mua të fitoja medaljen e artë në Lojrat Olimpike dhe është gjithmonë nder kur përfaqëson vendin tënd. Por unë kam kuptuar se qëllimi i pjesmarrjes në Lojra nuk është medalja e artë por është vetë fryma sportive. Nuk ndjej keqardhje sepse bëra aq sa munda. Dhe nuk ka gjë nëse nuk e fitoj medaljen pasi kam patur një karrierë të shkëlqyer. Kam qenë shumë me fat. Dhe ju e kuptoni se ky është sport dhe është një sport i bukur," tha patinatorja.

Komiteti Olimpik Amerikan ka caktuar në vend të Michel Kuan 17 vjeçaren Emili Hjuz, e cila zuri vendin e tretë në Kampionatin Kombëtar. Emili është motra e vogël e patinatores tjetër, Sara Hjuz, e cila fitoi medaljen e artë në garat e patinazhit artistik për femra katër vjet më parë. //ad//

XS
SM
MD
LG