Lidhje

Irani hedh poshtë akuzat e Perëndimit se ka inkurajuar protestat e dhunshme


Irani hodhi poshtë akuzat e Perëndimit se ka inkurajuar protestat e dhunshme lidhur me publikimit të karikaturave të Profetit Muhamed.

Në Teheran, zëdhënësi i ministrisë së jashtme Hamid Riza Asefi, veçoi sekretaren amerikane të shtetit, Kondolisa Rice, dhe zyrtarët danezë që kishin bërë këto akuza.

Ai bëri thirrje që Perëndimi t’i kërkonte falje botës myslimane për karikaturat dhe të premtonte se nuk do të bënte gafa të tilla në të ardhmen. Në Turqi, mijëra vetë morën pjesë dje në protestën më të madhe në atë vend kundër karikaturave.

Dhuna dhe kërcënimet kanë bërë që Danimarka t’i tërheqë diplomatët e saj nga Irani, Siria dhe Indonezia. Në Pakistan, Kombet e Bashkuara kufizuan lëvizjet e punonjësve dhe të furnizimeve për shkak të protestave kundër Perëndimit.

Sekretarja e Shtetit Rajs tha se protestat në botën myslimane mund të dalin jashtë kontrollit nëse qeveritë nuk pranojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre për përmbajtje.

XS
SM
MD
LG