Lidhje

Pakistan: Vriten dy vetë në protestat kundër karikaturave të Profetit Muhamed


Dy persona u vranë sot dhe disa të tjerë u plagosën në qytetin e Lahores në Pakistan, ku mbi 10 mijë banorë protestuan nëpër rrugë kundër karikaturave të Profetit Muhamed.

Numri i viktimave u konfirmua edhe nga Ministri i Brendshëm i Pakistanit, i cili tha se një roje hapi zjarr ndaj protestuesve, kur ata synuan të hynin në një bankë.

Megjithëse karikaturat u botuan në Danimarkë, turmat sulmuan disa restorante amerikane, një hotel amerikan, një bankë britanike, një zyrë norvegjeze dhe ndërtesën e asamblesë lokale.

Policia në Islamabad i bllokoi protestuesit, duke mos i lejuar të hynin në zonën diplomatike të qytetit. Ligjvenësit pakistaneze nga ana e tyre organizuan një marshim në heshtje në rrugën kryesore të qytetit.

Po sot, Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manauel Barroso mbrojti Danimarkën lidhur me polemikat për karikaturat, duke thënë se liria e shprehjes nuk është e negociueshme. Zoti Baroso tha se ai e kupton se karikaturat kanë ofenduar shumë myslimanë në botë, por theksoi se asgjë nuk e justifikon dhunën. Ai i quajti si krejtësisht të papranueshme sulmet ndaj ambasadave daneze në vende të ndryshme.//lk

XS
SM
MD
LG