Lidhje

Shtëpia e Bardhë hedh poshtë raportin e OKB-së për mbylljen e burgut në Gjirin Guantanamo


Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një raport të Kombeve të Bashkuara, ku bëhet thirrje për mbylljen e burgut amerikan në Gjirin Guantanamo të Kubës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Skot Maklellen, tha dje se duke raportuar akuza të bëra nga të ndaluarit pa shqyrtimin e fakteve, hetuesit që përgatitën raportin kishin diskretituar Kombet e Bashkuara.

Në raportin e OKB-së që u publikua dje, arrihet përfundimi se Shtetet e Bashkuara po shkelin të drejtat e të burgosurve për një proces të drejtë gjyqësor dhe rekomandohet që Shtetet e Bashkuara t’i gjykojnë të ndaluarit ose t’i lirojnë ata.

Në raport thuhet gjithashtu se në disa raste trajtimi i të burgosurve arrin përmasat e torturimit. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, mbështeti thirrjen për t’u siguruar të burgosurve proces të drejtë gjyqësor, duke shtuar se heret a vonë do të paraqitet nevoja për mbylljen e burgut.

Parlamenti Evropian miratoi dje një rezolutë pa fuqi ligjore që i bën jehonë thirrjes për mbylljen e qendrës amerikane të paraburgimit.

Pesë ekspertë të pavarur përgatitën raportin për Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke u mbështetur në intervista me ish të ndaluar e avokë, përfaqësues të mjeteve të informimit dhe të organizatave joqeveritare si edhe në dokumenta më parë sekrete të qeverisë amerikane.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se anëtarë të al-Kaidës që mbahen në atë burg janë terroristë të rrezikshëm, të cilët janë të stërvitur për të përhapur informacion të rremë.

XS
SM
MD
LG