Lidhje

Pakistan: Policia përdor gaz lotsjellës dhe plumba plastikë për të shpërndarë protestuesit


Në kryeqytetin pakistanez të Islamabadit policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba plastikë për të shpërndarë protestuesit e zemëruar nga karikaturat rreth Profetit Muhamet të botuara në Evropë.

Policia dhe trupat paraushtarake e kishin izoluar qytetin dhe ishin mobilizuar totalisht pas urdhërit të autoriteteve, të cilat ndaluan një tubim proteste të një aleance prej gjashtë partish islamiste. Një përfaqësues i lartë i kësaj aleance tha se Pakistani dhe bota islamike do të vazhdojnë protestat e tyre deri sa të kërkohet ndjesë për botimin e karikaturave, të cilin ai e quajti një akt kriminal.

Policia pakistaneze arrestoi gjithashtu disa deputetë, vuri nën arrest shtëpiak disa udhëheqës radikalë islamikë dhe ndaloi qindra përkrahës të tyre.

Në një incident tjetër në provincën jugore Sindh, qindra myslimanë të zemëruar sulmuan një kishë pas zërave se një i krishterë i atjeshëm kishte djegur faqe të Kuranit.

Danimarka, ku u botuan fillimisht karikaturat në muajin shtator, tërhoqi përkohësisht ambasadorin e saj nga Islamabadi. Të premten, ajo mbylli përkohësisht ambasadën e saj për shkak të shqetësimeve të sigurimit. //az//

XS
SM
MD
LG