Me fillimin e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës, shtrohet gjithnjë e më shpesh pyetja se çfarë duhet të bëjë komuniteti ndërkombëtar në qoftë se ato nuk japin rezultatin e dëshiruar, pra një zgjidhje nëpërmjet negociatave. Kjo çështje u debatua edhe një herë dje në Qendrën Woodrow Wilson këtu në Uashington.
Ndimës nënsekretarja e Shtetit, Rosemary DiCarlo, shprehu qendrimin tashmë të njohur të administratës amerikane se një nga përparësitë e saj kryesore është roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në përpjekjet ndërkombëtare për të stabilizuar Ballkanin, për t’u siguruar se konfliktet e viteve 90-të nuk do të përsëriten si dhe për të nxjerrë para drejtësisë autorët e krimeve të luftës. Zonja DiCarlo theksoi gjithshtu se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin ndryshimin e kufijve të tanishëm të Kosovës, as përmes ndarjes territoriale e as përmes një bashkimi të ri të Kosovës me ndonjë vend tjetër pas zgjidhjes së statusit. Zonja DiCarlo pranoi se nuk është realiste të pritet që zgjidhja e statusit të Kosovës të arrihet brenda këtij viti. Por ajo përvijoji strategjinë që duhet ndjekur në muajt e ardhëshëm për këtë çështje:
“Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje për një dialog konstruktiv, standardet duhet të vihen në zbatim me një ritëm shumë më të shpejtë, serbët e Kosovës duhet të angazhohen në proces për të shprehur idetë e tyre, dhe Evropa e Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë të qartë vazhdimin e angazhimit të tyre në proces dhe se dyert e Bashkimit Evropian dhe NATO-s janë hapura sapo të plotësohen të gjitha kushtet”.
Ambasadori i Serbisë dhe Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara, Dr. Ivan Vujacic, shprehu qendrimin e qeverisë së tij se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë, por me një autonomi të zgjeruar dhe jo e pavarur. Qeveria e Serbisë beson, tha ai, se ligji ndërkombëtar garanton integritetin teritorial të Serbisë. Dr. Vujacic tha se qeveria e Serbisë nuk ka qënë aspak dakord për ndryshimin e strategjisë së komunitetit ndërkombëtar nga “standarded para statusit” në trajtimin paralelisht të standardeve dhe statusit. Por abasadori Vujacic vlerësoi si një zhvillim pozitiv fillimin e bisedimeve në Vienë.
Analisti i çështjeve evropiano lindore dhe ballkanike, Dr. Elez Biberaj, Drejtor në detyrë i Degës Euroaziatike të Zërit të Amerikës, tha se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës, duhet të përfshijë një shoqëri demokratike shumë etnike, një shtet demokratik të qendrueshëm që të jetë në gjendje të ecë me këmbët e veta dhe të kontribojë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Që Kosova të bëhet një shtet i mirëfilltë, me të vërtetë funksional, tha më tej analisti Elez Biberaj, ajo duhet të marrë përsipër të drejtat dhe detyrimet e një shteti sovran, duke përfshirë edhe pushtetin për të bërë traktate, për të patur një forcë kombëtare mbrojtëse dhe një vend në Kombet e Bashkuara. Çështja është nëse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të Grupit të Kontaktit, kanë vullnetin politik për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme dhe të përherëshme. Apo edhe një herë ato do të pranojnë një zgjidhje të pjesëshme, si pavarësia e kushtëzuar apo një shtet me dy entitete etnike, apo ndonjë variant tjetër, që do ta bënte delegacionin serb të kthehej në Beograd dhe të këmbëngulte se Serbia ruan sovranitetin mbi Kosovën, ndërsa delegacioni shqiptar të kthehet në Prishtinë dhe të thotë se Kosova ka fituar pavarësinë.
“Zgjidhjet e pjesëshme nuk funksionojnë. Ekziston nevoja për një vendim të prerë. Njohja e pavarësisë së plotë të Kosovës dhe vendi i saj në Kombet e Bashkuara janë e vetmja zgjidhje e qendrueshme dhe e përherëshme. Kjo është absolutisht esenciale për ta futur Kosovën dhe rajonin në rrugën drejt stabilitetit dhe demokracisë”.
Pasojat që do të vinin po t’u mohoheshin shqiptarëve aspiratat kombëtare, duke u pranuar fakti që Serbia nuk mund të rivendosë kurrë më sovranitetin mbi Kosovën, janë shumë më serioze se sa vendimi për t’i njohur Kosovës pavarësinë e plotë, theksoi Dr. Elez Biberaj.
Presidentja dhe themeluesja e firmës konsulente Cui Prodest për zhvillimin ndërkombëtar dhe eksperte e çështjeve ballkanike, Brenda Lee Pearson tha se ndarja e Kosovës nuk duhet përjashtuar. Strukturat paralele, veçanërisht në Mitrovicë, tha ajo, kanë krijuar një ndarje të brendëshme, kjo mund të mos jetë një ndarje aktuale, por ideja e ndarjes është reale. Do të ishte naivitet të injorohej idea se kjo alternativë ekziston në mendjen e njerëzve.
Ross Johnson, ish drejtor i degës të kërkimeve të radios Evropa e Lirë, tha se logjika e gjendjes në terren, ku pala shqiptare nuk pranon asgjë më pak se pavarësia dhe pala sërbe nuk pranon në asnjë mënyrë që Kosova të shkëputet nga Serbia, tregon se shqiptarët dhe serbët nuk janë të aftë të bien dakord për të negociuar një zgjidhje. Rrjedhimisht zgjidhja duhet të jetë e detyruar. Kam përshtypjen, tha zoti Johnson, se grupi i kontaktit e ka pranuar idenë e një shteti të ri dhe në qoftë se rezulton kështu ky shtet i ri duhet të plotësojë të gjitha të drejtat dhe detyrimet e një shteti funksional. Nga ana tjetër Serbia duhet ndihmuar në të gjitha mënyrat që të zerë vendin e saj në Evropë si një shtet demokratik.
“Personalisht, kam arritur në përfundimin se humbja e Kosovës është një hap i nevojshëm në këtë drejtim”.
Ndimës nënsekretarja e Shtetit, Rosemary DiCarlo vlerësoi fillimin e bisedimeve të Vienës si një hap pozitiv në drejtimin e duhur dhe shprehu edhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe të dërguarin e tij për ndërmjetësimin e bisedimeve, Marti Ahtisari. Ato kanë dërguar edhe vetë në bisedime diplomatin e shquar amerikan Frank Weisner, pikërisht për të ndihmuar në orjentimin e bisedimeve.
Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane e kanë fare të qartë rëndësinë e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ndikimin e tyre në vendet e tjera Ballkanike, që aspirojnë të hynë në Bashkmin Evropian dhe në NATO. Ato kanë po aq të qartë edhe faktin se opinioni publik në ato vende ndjek me shumë vemendje të gjitha lëvizjet e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë.