Lidhje

Kosovë: Qeveria ende nuk ka ministrat e drejtësisë dhe rendit


Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dy partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës, ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund zvarritjes më se dymuajshe të plotësimit të posteve të ministrave të drejtësisë dhe rendit.

Në prag të Krishtlindjeve të vitit të kaluar, Misioni i Kombeve të Bashkuara shpalli vendimin për t’i kaluar përgjegjësitë nga fushat e policisë dhe drejtësisë tek institucionet vendase, një veprim ky që u cilësua si shumë i rëndësishëm, por që ende nuk është vënë në praktikë. Edhe më shumë se dy muaj pas këtij vendimi nuk ka ministra për këto dy poste.

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se i ka inkurajuar të dyja partitë që të hedhin propozimet e tyre sa më parë që është e mundur, por nënvizoi se nuk është në pozitë që t’i detyrojë ato të marrin vendime. Ai tha se ka emëruar dy zyrtarë të lartë që të përgatisin fillimin e punës së ministrive në mënyrë që kurdo që të zgjidhen ministrat cdo gjë të jetë gati.

Partitë e koalicionit kanë përvijuar shumë emra si bartës të mundshëm të këtyre dy ministrive, por marrëveshje ende nuk ka. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pohon se drejtuesit e dy partive që në fillim kanë pasur një marrëveshje që postet të ndahen ndërmjet partnerëve të koalicionit. Kjo është mohuar nga një pjesë e përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike, ndërsa një pjesë tjetër e tyre kanë theksuar se një marrëveshje jo formale ka ekzistuar, por gjërat kanë ndryshuar me kohë. Ata kërkojnë që të dyja ministritë të drejtohen nga Lidhja Demokratike partia me numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin e Kosovës dhe për këtë siç thuhet është kërkuar mirëkuptim nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sido që të jetë, muaji mars është paraparë të jetë periudhë e vlerësimeve të para për punën e këtyre ministrive nga i cili varet edhe shkalla e kalimit të përgjegjësive, por zvarritja e krijimit të tyre do të bëjë që Misioni I Kombeve të Bashkuara i cili ka bërë thirrje për përshpejtim të punëve të mos ketë se çfarë të vlerësojë. //ad//

XS
SM
MD
LG