Presidenti Bush viziton së shpejti Indinë dhe Pakistanin, dy vende për të cilat ai thotë se janë të rëndësishme për sigurinë ekonomike dhe kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Por cilat janë disa nga çështjet që pritet të diskutojë Presidenti Bush gjatë udhëtimit të parë në këtë rajon?
Terrorizmi, tregëtia, demokracia, arsimi dhe shëndetësia janë mes përparësive që përmendi presidenti Bush gjatë një fjalimi në Washington për turneun e tij në Indi dhe Pakistan. Ai vuri në dukje se marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara mund t’i ndihmojnë të dyja vendet në përpjekjet e tyre për paqe: “Jo shumë kohë më parë, kishte aq shumë mosbesim mes Indisë dhe Pakistan saqë kur Amerika kishte marrëdhënie të mira me njërin prej këtyre vendeve, tjetri nervozohej. Ndryshimi i këtij perceptimi ka qenë një nga përparësitë kryesore të administratës sonë dhe po bëjmë përparim në këtë drejtim”.
Energjia ishte një nga temat e diskutimit gjatë vizitës së kryeministrit indian Manmohah Singh në korrik në Shtetet e Bashkuara dhe do të jetë një nga përparësitë kryesore gjatë udhëtimit të presidentit Bush në Indi. Presidenti po propozon që t’i japë këtij vendi karburant reaktorësh që do të sigurohet nga vende të mëdha që prodhojnë energji bërthamore, nëse New Delhi bie dakord ta hapë programin e tij civil bërthamor për inspektimet ndërkombëtare.
Nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns ishte kohët e fundit në kryeqytetin indian për të diskutuar për ndonjë marrëveshje të mundshme. Sesa e rëndësishme është siguria bërthamore u vu në dukje ditët e fundit në një konferencë të ekspertëve të Azisë Jugore në Institutin Brookings në Washington, ku studiuesi Stephen Cohen shtroi pyetjen se kur mund t’i vihet një kufi armëve bërthamore: “Ky është një vendim që indianët duhet ta marrin vetë dhe askush nuk po përpiqet t’i imponojë sesa duhet të prodhojnë. Nga ana tjetër vendimi Indisë do të ketë ndikim në sigurinë e shumë vendeve të tjera, sidomos nëse në bazë të programit indian të armëve bërthamore prodhohen mijëra armë bërthamore, në vend të qindrave”.
Përsa i takon sigurisë ekonomike, Presidenti Bush tha se rritja e tregëtisë do të sillte përfitime për amerikanët, do t’i sillte begati Indisë dhe do të pakësonte ndikimin e Islamizmit radikal në Pakistan. Ai e quajti Pakistanin një aleat kryesor në luftën kundër terrorizmit dhe theksoi angazhimin amerikan për të ndihmuar atë vend që të forcojë institucionet e shoqërisë civile. Ai tha se disa nga këto institucione janë ngritur: “Pakistani ka ende shumë për të bërë në rrugën drejt demokracisë, megjithatë ka disa institucione bazë që kërkon demokracia. Pakistani ka një shtyp të gjallë dhe përgjithësisht të lirë. Jam i sigurt që do ta dëgjoj zërin e tyre gjatë udhëtimit tim në Pakistan”.
Presidenti Bush thotë se do t’u bëjë thirrje udhëheqësve të Indisë dhe Pakistanit për të përfituar siç tha ai nga një shans historik për të punuar për një paqe afatgjatë për Kashmirin mbi të cilin të dyja palët kanë pretendime. Ai shtoi se Amerika është për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët për Kashmirin. Karl Inderfuth, ish-ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Azisë Jugore në administratën e presidentit Klinton tha se vetë banorët e Kashmirit nuk duhen lënë në harresë: “Në këtë ekuacion ka tre faktorë: India dhe Pakistani që duhet të negociojnë së bashku, por edhe populli i Kashmirit, interesat dhe shqetësimet e të cilëve duhet gjithashtu të merren parasysh”.
Zoti Inderfuth thotë se vizitat e dy presidentëve të njëpasnjëshëm amerikanë në nënkontinentin aziatik, ajo e Presidentit Klinton në mars 2000 dhe e Presidentit Bush gjashtë vjet më pas tregojnë rëndësinë strategjike dhe ekonomike të kësaj zone për Shtetet e Bashkuara dhe gjithë botës. //rd//