Lidhje

Lavrov mohon ofertën ruse për kompromis me Iranin


Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov thotë se vendi i tij nuk ka bërë ndonjë propozim për kompromis që do ta lejonte Iranin të pasuronte uranium brenda vendit. Ai tha sot në krah të Sekretares amerikane të Shtetit Condoleezza Rice, se bisedimet mes Rusisë dhe Iranit përqendrohen tek përpjekjet për të bindur Teheranin që të pranojë ofertën e Moskës për të pasuruar uranium për Iranin në territorin rus.

Nga ana e saj, zonja Rice përsëriti qëndrimin amerikan se çfarëdolloj pasurimi uraniumi në territor iranian është i papranueshëm. Konferenca e shtypit në Washington pason njoftimet se Rusia i ka bërë një ofertë për kompromis negociatorëve iranianë në Vienë. Diplomatët citohen të thonë se sipas propozimit rus Irani duhet të pezullojë aktivietet për pasurimin e uraniumit, por do të vazhdonte kërkimet bërthmore të kufizuara brenda vendit. Bordi i Agjencisë për Energji Atomike po diskuton për programin bërthamor të Iranit dhe për mundësinë e sugjerimit të sanksioneve nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

SHBA: ASNJE KOMPROMIS PER PASURIMIN E URANIUMIT

Administrata e Presidentit Bush njoftoi se ajo nuk do të japë pëlqimin për asnjë kompromis i cili të lejonte Iranin të zotërojë aftësinë për pasurimin e uraniumit. Ajo deklaroi qartë se pret që çështja e Iranit t’i referohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nëqoftëse Teherani nuk ndryshon menjëherë politikë lidhur me programin e tij bërthamor.

Zërat për një kompromis të tillë qarkulluan dje në Vjenë ndërkohë që Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike u mblodh për të dëgjuar raportin rreth programit bërthamor të Iranit nga drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie Mohamed ElBaradei, para se çështja t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit në bazë të një vendimi që agjencia mori më 4 shkurt.

Shefi i Agjencisë tha se arritja e një marrëveshjeje për të çtensionuar krizën rreth programit iranian është ende e mundur ndërsa disa diplomatë në Vjena ishin shprehur sipas citimeve se Irani mund të pranojë ngrirjen për një periudhë afatgjatë të pasurimit industrial të uraniumit në rast se lejohet të bëjë pasurimin e tij në shkallë të vogël për qëllime kërkimore dhe nën vëzhgimin e Agjencisë.

Por administrata e Presidentit Bush, e cila ngul këmbë se programi bërthamor iranian synon prodhimin e armëve bërthamore, thotë se Iranit nuk mund t’i besohet sepse për dy dekada me radhë ai ka mashtruar përsa i përket programit të tij bërthamor.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Thomas Casey tha se lejimi i Iranit për të bërë pasurim uraniumi në cilindo shkallë qoftë, do ta lejonte atë të zotëronte teknikat e prodhimit të armëve prandaj një ide e tillë do të ishte e papranueshme për Shtetet e Bashkuara dhe për komunitetin më të gjerë botëror.

"Një grua nuk mund të jetë pak shtatzënë. Regjimi iranian nuk mund të lejohet të realizojë pasurimin e uraniumit në cilëndo shkallë qoftë, sepse kjo do të bënte që ata të zotërojnë teknologjinë dhe kjo teknologji mund të zbatohet me lehtësi në një program të fshehtë të prodhimit të armëve bërthamore."

Duke folur në Fondacionin Heritage të Uashingtonit, zyrtari numër tre i Departamentit të Shtetit, nënsekretari për çështje politike, Nicholas Burns, tha se mesazhi sot për Iranin është se e ka kaluar masën, e ka kaluar cakun e vendosur nga komuniteti ndërkombëtar. Zoti Burns tha se në rast se Irani nuk bën një kthesë dramatike dhe nuk pezullon të gjitha veprimtaritë bërthamore që shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar, bordi prej 35 vendesh i Agjencisë për Energjinë Bërthamore do të konfirmojë vendimin e marrë para një muaji dhe çështja do t’i kalohet Këshillit të Sigurimit.

Komentet bëhen ndërkohë që Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice përgatitej të fillonte bisedimet dy ditëshe me Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, qeveria e të cilit ka bërë bisedime për çështjet bërthamore me Teheranin. Moska, përmes një nisme të mbështetur nga Uashingtoni, ka propozuar pasurimin e uraniumit iranian në territorin e saj për ta lejuar Iranin të vazhdojë atë që ai e quan program bërthamor për qëllime civile.

Në një numër rastesh, Irani ka shprehur interesim për propozimin rus. Por zyrtarët amerikanë thonë se Teherani vazhdon të kërkojë që edhe ai të zotërojë në një fare mase aftësitë për pasurimin e uraniumit, gjë që bie ndesh me planin rus dhe është e papranueshme.

Shtetet e Bashkuara prej kohe mbështesin idenë që çështja e Iranit t’i referohet Këshillit të Sigurimit. Por ato nuk janë shprehur se çfarë masash ndëshkuese mund të kërkojnë atje kundër Iranit, duke lënë të kuptohet se vetë fakti që kësaj çështjeje po i kushtohet një vemendje kaq e madhe në Kombet e Bashkuara mund ta bindë Iranin ta rishikojë qendrimin e tij.//ii

XS
SM
MD
LG