Përfaqësues të pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit u takuan për diskutime rreth programit bërthamor të Iranit.
Takimi i djeshëm me dyer të mbyllura në Nju Jork u zhvillua para takimit të plotë që Këshilli i Sigurimit do të mbaj jevën tjetër, ku pritet që 15 vendet anëtare të shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Teheranit.
Mes vendeve anëtare të këshillit ka mospajtime lidhur me çështjen nëse Këshilli i Sigurimit duhet të luajë rol në mosmarrëveshjen rreth ambicieve bërthamore të republikës islamike.
Megjithëse këshilli ka kompetencat të vendosë sanksione, dy vende anëtare me të drejtën e vetos, Rusia dhe Kina, thonë se është më mirë që kjo çështje të trajtohet nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.
Ambasadori amerikan në OKB, Xhon Bolton, thotë se Shtetet e Bashkuara po përqendrohen në përpjekjet për zgjidhjen e problemit përmes rrugëve diplomatike. Mirëpo, ai thekson se nuk është e pranueshme që Irani të ketë armë bërthamore.
Dy vendet e tjera anëtare të përhershme, Britania dhe Franca, mbështesin një zgjidhje diplomatike, por nuk kanë përjashtuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Teheranit.