Lidhje

Vdekja e Millosheviçit ngjall reagime të ndryshme


Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla del Ponte tha se vdekja e Millosheviçit është diçka që shihet “me keqardhje” nga të mbijetuarit dhe viktimat e luftës, të cilët prisnin vënien në vend të drejtësisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jaap de Hoop Scheffer u bëri jehonë komenteve të saj duke thënë se vdekja e Millosheviçit ishte një ngjarje “e pakënaqëshme” po të kihen parasysh viktimat e panumurta të luftrave ballkanike.

Bashkimi Evropian deklaroi se vdekja e Sllobodan Millosheviçit nuk e shpëton Serbinë nga përgjegjësia për të dorëzuar të dyshuarit për krime lufte.

Sekretari i jashtëm britanik Jack Straw tha se shpreson që vdekja e Millosheviçit do t’i ndihmojë serbët të shohin drejt së ardhmes.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter Shatjnmajer e quajti Millosheviçin “njeri të së kaluarës”.

Ministri i jashtëm francez Filip Dust-Blazi shprehu dhimbje për të gjithë ata që vuajtën nga spastrimi etnik.

Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi Vuk Drashkoviç thotë se ishte e turpshme që Millosheviçi nuk u gjykua në vendin e tij. Presidenti kroat Stipe Mesiç shprehu keqardhjen që Millosheviçi vdiq para se të merrte dënimin e merituar.

Por zyrtari i lartë i Partisë Socialiste të Millosheviçit, Ivica Daçiç tha se vdekja e tij ishte një humbje e madhe për Serbinë.

Rusia e kritikoi gjykatën e Hagës se nuk ia kishte plotësuar kërkesën ish-udhëheqësit serb që të shkonte atje për kurim. Gjykata refuzoi për shkak të shqetësimeve se Millosheviçi mund të mos kthehej më në Hagë.

XS
SM
MD
LG