Lidhje

Karla del Ponte shpreh keqardhje për viktimat e konflikteve të Ballkanit


Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte shprehu sot keqardhjen që pas vdekjes së Millosheviçit, viktimat e konflikteve të Ballkanit nuk do të mund të shohin vendosjen e drejtësisë që ata meritojnë, por shtoi se një gjë e tillë e bën më urgjente nevojën e kapjes të të akuzuarve të tjerë për krime lufte. Ajo i bëri komentet sot në një konferencë shtypi. Po sot foli për shtypin edhe Presidenti i Gjykatës së Hagës.

Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte tha se vdekja e ish-udhëheqësit jugosllav i privon viktimat nga çuarja në vend e drejtësisë që ata meritonin dhe e bën më urgjente nevojën për kapjen dhe ekstradimin e udhëheqësve serbë të Bosnjës të akuzuar për krime lufte, duke iu referuar Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit. “Është një humbje e madhe për drejtësinë që gjyqi nuk do të përfundojë dhe nuk do të jepet një dënim. Megjithatë ka ish-udhëheqës të tjerë të lartë mbi të cilët janë ngritur padi për krime lufte, për të cilat ishte akuzuar edhe Sllobodan Millosheviçi. Pas disa muajsh do të fillojë gjyqi i tetë i ish-drejtuesve të lartë të akuzuar për genocidin në Srebrenicë. Po ashtu megjithëse këtë vit do të gjykohen gjashtë ish-udhëheqës serbë për krimet e kryera në Kosovë, fajtorët kryesorë janë ende të lirë”.

Zonja del Ponte i quajti thashetheme zërat se Millosheviçi ishte helmuar. Ajo tha se gjyqet e tetë të dyshuarve për genocidin e Srebrenicës do të kontribuonin për të përcaktuar rolin e Milosheviçit në masakrën më të tmerrshme në Evropë që pas luftës së dytë botërore.

Del Ponte tha se gjyqi i Millosheviçit ishte duke përfunduar. Pas 466 ditësh gjyq, mbeteshin vetëm 50 ditë dhe planet ishin që procesi të mbyllej në pranverë.

Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, Fausto Pocar shprehu keqardhjen që me vdekjen e Millosheviçit, nuk u arrit të jepej një dënim në gjyqin e tij. “Do të doja të përfitoja nga rasti që të shpreh keqardhjen për vdekjen e Sllobodan Millosheviçit. Po ashtu do të doja të shprehja zhgënjimin e thellë që gjyqi kundër Sllobodan Millosheviçit nuk do të përfundojë. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq që viktimat dhe familjet e tyre nuk do të mund të marrin një përgjigje përfundimtare në këtë çështje për përgjegjësinë e të akuzuarit”.

Presidenti i gjykatës tha se përveç hetimeve që po kryhen nga autoritetet, edhe ai vetë në përputhje me kompetencat e tij kishte urdhëruar një hetim të plotë. //rd//

XS
SM
MD
LG