Lidhje

Nuk dihet ende se ku do të varroset Sllobodan Millosheviçi


I biri i ish Presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, mori trupin e babait të tij, ndërkohë që nuk është vendosur asgjë për funeralin.

Një makinë me arkivolin e tij u largua nga Instituti hollandez i kriminalistikës drejt aeroportit. Por destinacioni përfundimtar ende nuk dihet. Më herët, i biri i ish Presidentit, Marko Millosheviç, akuzoi autoritetet serbe se po përpiqeshin të bllokonin mbajtjen e funeralit në Beograd dhe tha se kryetari i bashkisë së Moskës kishte rënë dakord për një funeral atje.

Kryeministri i Sërbisë, Vojislav Koshtunica tha se funerali mund të zhvillohet në Beograd tani që një gjykatë pezulloi urdhër-arrestin për gruan e ish presidentit, Mira Markoviç. Megjithatë autoritetet do t’i mbajnë asaj pasaportën, një shumë prej 17 mijë dollarësh dhe këmbëngulin që ajo të paraqitet para një gjykatësi nën akuzat për shpërdorim pushteti.

Slobodan Millosheviçi u gjet i vdekur të shtunën në qelinë e tij në Hagë. Ai po gjykohej për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit për luftërat e viteve 90-të në Ballkan.

Ish Ministri i Brendshëm maqedonas Ljube Boshkovski dhe gjenerali kroat Ante Gotovina nënshkruajnë nekrologjinë e Millosheviçit, por asnjë boshnjak apo shqiptar i Kosovës

Më shumë se 30 të dyshuar për krime lufte të akuzuar nga gjykata e Hagës nderuan ish presidentin e ndjerë jugosllav Sllobodan Milosheviç. Në disa gazeta ditore të Beogradit, nëpërmjet një nekrologjie, të dyshuarit i jepnin lamtumirën mikut të tyre luftëtar në Hagë.

Ata gjithashtu i shprehën ngushëllime të sinqerta familjes së tij. Nënshkruesit e nekrologjisë përfshijnë të dyshuar serb si dhe ish Ministri i Brendshëm maqedonas Ljube Boshkovski dhe gjenerali kroat Ante Gotovina.

Asnjë mysliman boshnjak apo shqiptar i Kosovës nuk e nënshkruan atë.//lk

XS
SM
MD
LG