Lidhje

Popullsia e Shteteve te Bashkuara pritej të shkojë këtë vit në 300 milion banorë


Zyrtarët e regjistrimit të popullsisë thonë se në tetor të këtij viti, popullsia në Shtetet e Bashkuara do të arrijë në 300 milion vetë dhe ka të ngjarë që personi i 300 miliontë të jetë një latino-amerikan që jeton në pjesën jugperëndimore të vendit, ku vërehen edhe ritmet më të larta të rritjes.Kjo popullsi në rritje sjell njëkohësisht shpresa, por edhe sfida të reja për qendrat urbane amerikane.

Popullsia amerikane po rritet me afro 1 për qind në vit, duke i renditur Shtetet e Bashkuara, të parat ndër vendet e industrializuara për sa i përket rritjes së popullsisë. 60 për qind e kësaj rritjeje është e natyrshme, ndërsa 40 për qind e saj vjen nga imigracioni.

Demografi William Frey i Institutit Brookings thotë se imigrantët vendosen kryesisht në qytete si New Yorku, Miami, Houston, Dallas dhe Los Angeles: "Këto qytete janë me të vërtetë qendra të larmishme kulturash dhe racash, pasi nuk ka vetëm të bardhë dhe 2-3 grupe pakicash, por grupet e pakicave janë bërë pjesë e kësaj race më të madhe që krijohet nga asimilimi. Në këto qytete nuk mund të jetosh dot nëse nuk çlirohesh nga paragjykimet ndaj kulturave dhe prejardhjeve të ndryshme".

Në Los Anxhelos emigrantët janë vendosur në zona si Chinatown, Little Tokyo, Koreatown dhe lagje të tjera me përbërje të një etnie të caktuar. Një këpucar nga Kina ka klientë, miq e fqinjë me origjinë nga Amerika Latine.

Në pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara imigrantët nga Amerika Latine po ndryshojnë kulturën dhe janë tani pjesë e rëndësishme e krahut të punës. Hispanikët përfaqësojnë afro 50 për qind të rritjes së popullsisë në Shtetet e Bashkuara.

Disa kritikë të imigracionit shqetësohen se kjo rritje e popullsisë mund të ushtrojë trysni të tepërt në sistemin e shëndetësisë dhe në atë të arsimit. Ira Mehlman është zëdhënës i Federatër për Reforma në Imigracion: "Gjysma e nxënësve në Los Anxhelos nuk flasin anglisht, pra ndeshemi me problemin që sistemi publik i arsimit nuk është në gjendje të arsimojë një brez fëmijësh".

Harry Pachon i Institutit të Politikave Tomas Rivera thotë se rritja e popullsisë gjithmonë ka shkaktuar trysni, por shton se vendi ka asimiluar breza të mëparshëm imigrantësh: "Ne gjithmonë ankohemi për imigrantët dhe harrojmë se 2-3 breza më parë vetë gjyshërit dhe prindërit tanë ishin imigrantë".

Rritja e popullsisë është një fenomen global dhe disa analistë shqetësohen se do të jetë e vështirë të përballohet nga vetë mjedisi. Dan Silver i Ligës së Zonave të Rrezikuara thotë se rritja e shfrenuar e popullsisë po ndryshon peisazhin natyror ku banojnë edhe specie të tjera përveç njerëzve. "Problemi që shohim me rritjen e popullsisë është i dyfishtë: së pari është rritja e numrit të njerëzve, e cila është tepër e madhe në shtete si Kalifornia, dhe nga ana tjetër është sasia e madhe e tokës që duhet për strehimin e çdo individi, gjë që ka ndryshuar ritmet e shfrytëzimit të natyrës". Ai thotë se në shumë pjesë të Amerikës, problemi shfaqet në formën e zgjerimit të pamasë të zonave urbane. Ai shton se një planifikim më i mirë do të krijonte mundësi për strehimin e një numri më të madh njerëzish në zona më të vogla, në mënyrë që të ruhet i paprekur mjedisi natyror. Ai ngre shqetësimin se planifikimi urban ka pasur shumë të meta.

Të njëjtin qëndrim kanë edhe ekspertë të tjerë, të cilët mendojnë se qytete si Los Angelosi po vuajnë trysninë e imigracionit, ndërsa mbarë vendi sheh vetëm përfitimet. Një brez i tërë amerikanësh, të lindur pas Luftës së Dytë Botërore janë në prag të pensionit, dhe disa ekspertë thonë se imigracioni do të jetë në gjendje të ruajë ritmet e rritjes ekonomike.

Demografi William Frey thotë se imigrantët e rinj ndihmojnë për të mbajtur Amerikën të aftë për të konkuruar në tregun botëror: "Në vazhdën e globalizimit të mëtejshëm, pra kur gjithnjë e më shumë prodhojmë për tregun botëror dhe anasjelltas, ka rëndësi vendimtare që të kemi në vendet e punës njerëz të kulturave të ndryshme që të na ndihmojnë të marrim vendimet që na shërbejnë për të konkuruar në tregun botëror". Popullsia amerikane pritet të arrijë në 400 milion brenda 40 vjetësh. Analistët e popullsisë thonë se vendi ndeshet me sfida në përpjekjet për t’u ofruar fëmijëve të imigrantëve shërbimet që u nevojiten, që nga kujdesi shëndetësor e deri tek arsimi.

Ndër sfidat e tjera janë përpjekjet për të ruajtur fuqinë e ekonomisë amerikane dhe për të mbrojtur mjedisin. Të gjitha këto, thonë analistët, kërkojnë planifikim të kujdeshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG