Lidhje

Reagime për vdekjen e Milosheviçit


Ish-kryekomandanti i forcave të Natos në Evropë, Wesley Clark, thotë se vdekja e Sllobodan Millosheviçit u mohoi viktimave vënien në vend të drejtësisë dhe ndihmon serbët të shmangin të vërtetën për atë që ish-komandanti i Natos e quajti “Hitleri i tyre të vogël”.

Gjenerali amerikan në pension Clark, në një shkrim në të përditshmen The Wall Street Journal, thotë se vdekja e ish-presidentit jugosllav para dhënies së vendimit në gjyqin e tij për krime lufte sjell shumë probleme për bashkësinë ndërkombëtare, Evropën dhe vetë Serbinë.

Gjenerali thotë se e kishte njohur personalisht Millosheviçin gjatë bisedimeve të Daytonit më 1995, të cilat i dhanë fund konfliktit boshnjak. Pjesëmarrësit në bisedime e panë se ai ishte diktator që nuk njihte asnjë ligj, i aftë për ligësi, vrasje dhe spastrim etnik. Gjenerali Clark thotë se vdekja e tij u ngarkon udhëheqësve të Serbisë detyrën e vështirë për riedukimin dhe riorientimin e popullit të tyre.

Presidenti serb Boris Tadiç tha se mban përgjegjëse Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës për vdekjen e Slobodan Miloseviçit. Presidenti Tadiç i tha sot agjencisë Associated Press se gjykata e Hagës duhet ta kishte miratuar kërkesën e Milosheviçit për tu kuruar në Rusi.

Ish udhëheqësi jugosllalv u gjet i vdekur në qelinë e tij të shtunën, dy javë pasi kërkesa e tij ishte refuzuar. Në një intervistë për Associated Press, presidenti Tadiç tha se megjithëse beson se gjykata është përgjegjëse, vdekja e Milosheviçit nuk do të verë në rrezik bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën e Hagës. Ai tha se nuk do të ketë më kthim mbrapa në skenën politike të Serbisë dhe shtoi se vdekja e Milosheviçit nuk do të ndryshojë rrugën e republikës serbe drejtë demokracisë.

Moska i kërkoi Gjykatës së Hagës të lejojë ekspertë rusë të marrin pjesë në autopsinë e ish-presidentit Millosheviç.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se Moska është e zhgënjyer që kërkesa e Millosheviçit për trajtim mjekësor në Rusi nuk u pranua. Ai u tha gazetarëve se aty ku Rusisë nuk i zihet besë, edhe Moska ka të drejtë të mos besojë. Zyrtarët thanë se një ekip mjekësh rusë do të shkojë në Hagë nesër. Zoti Lavrov kërkoi që ekipi rus të paktën të lejohet të ekzaminojë rezultatet e autopsisë së bërë nga mjekët holandezë.

//rd//

XS
SM
MD
LG