Lidhje

Iraku vazhdon të dominojë në politikën amerikane


Tri vjet pas pushtimit nga forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Iraku vazhdon të dominojë politikën amerikane si asnjë çështje tjetër. Anketat e kohëve të fundit tregojnë se amerikanët po e humbasin durimin me operacionet në Irak, gjë që i komplikon përpjekjet e Presidentit Bush për të forcuar mbështetjen brenda vendit. Sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve Associated Press, katër ndër pesë amerikanë, duke përfshirë edhe 70 përqind nga vetë partia e Presidentit, besojnë se në Irak do të shpërthejë lufta civile, zhvillim që mund të ketë një ndikim shumë të madh në presidencën e zotit Bush.

Forcat e koalicionit, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara shënuan shumë shpejt një fitore në Irak, duke përmbysur regjimin e Saddam Husseinit. Por arritja e një paqeje të qendrushme në vend ka treguar të jetë një mision shumë i vështirë.

Gjatë vitit të kaluar, humbjet në radhët e forcave amerikane dhe veprimet e përditshme të dhunës dhe kaosi kanë pakësuar mbështetjen brenda vendit për luftën në përgjithësi dhe për mënyrën se si Presidenti Bush po e trajton Irakun në veçanti. Karlyn Bowman ndjek opinionin publik në Institutin amerikan Enterprise në Washington.

“Mendoj se kjo ka të bëjë më shumë me ankthin e amerikanëve kur trupat tona janë në fushën e betejës, ata duan të dinë qëllimet e presidentit dhe duan të besojnë gjithashtu se ato janë duke u realizuar me efektivitet, por ata kanë dyshime për këtë”.

Pas fitores së ngushtë në zgjedhjet e 2004, Presidenti Bush e ka patur të vështirë ta ruajë mbështetjen e publikut, pjesërisht për shkak të ngritjes së çmimit të karburantit në Shtetet e Bashkuara dhe për përgjigjen e qeverisë ndaj Uraganit Katrina, që është kritikur gjerësisht.

Por analisti politik, Stuart Rothenberg, thotë se publiku është i shqetësuar lidhur me Irakun, që është në qendër të problemeve politike të Presidentit.

“Ajo ka dëmtuar së tepërmi besueshmërinë e George Bushit, duke vënë në dyshim aftësitë e tij drejtuese dhe për mendimin tim ky ka qënë faktori kryesor për problemet politike në vend”.

Disa anketa të kohëve të fundit tregojnë se një pjesë e madhe e publikut tani e kundërshton luftën në Irak, nuk beson se ndërhyrja e justifikon koston e saj dhe është e shqetësuar se Iraku mund të përfundojë në luftë civile.

“Tani ata shtrojnë pyetjen se pse shkuam ne atje, ata besojnë se ne nuk duhet të kishim shkuar. Gjithë justifikimet lidhur me armët e shkatërirmit në masë nuk qendrojnë. Dhe thjesht rruga që ka marrë lufta ka vënë në dyshim politikën e administratës dhe trajtimin e luftës nga ana e saj”.

Presidenti Bush i ka shumë të qarta dyshimet e opinionit për çështjen e Irakut. Ai ka mbajtur një seri fjalimesh në vend me shpresë për të shtuar mbështetjen brenda vendit, duke përfshirë edhe një në muajin shkurt.

“Ne kemi koregjuar atë që nuk ka funksionuar. Ne do të vazhdojmë të bëjmë ndryshimet e nevojshme për të përfunduar misionin, për të realizuar objektivat që ai të jetë një vend që të qendrojë në këmbët e veta, të vetëmbrohet dhe të shërbejë si një aleat i fortë në luftën kundër terrorit”.

Përkrahësit republikanë të Presidentit shpresojnë që gjendja në Irak të stabilizohet para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin. Demokratët pritet të fitojnë vende në Kongres, të paktën për shak të pakënaqësisë publike lidhur me misionit në Irak. Por si parti, demokratët janë të ndarë lidhur me këtë çështje dhe pak prej tyre kanë ngritur zërin për tërheqjen e shpejtë të trupave.

Kongresmeni nga Pensilvania, John Murtha, e mbështeti fillimisht luftën. Tani ai bën thirrje që trupat amerikane të tërhiqen nga Iraku.

“Lufta në Irak nuk ka shkuar ashtu siç është paraqitur. Ajo është një politikë e dështuar e mbështjellë me iluzione”.

Por anketat tregojnë se shumë amerikanë besojnë se demokratët nuk do ta trajtonin shumë ndryshe Irakun. Përsëri ekspertja e anketimeve, Karlyn Bowman.

“Ka shumë zëra të ndryshëm brenda partisë demokrate, disa argumentojnë fuqimisht se trupat duhet të tërhiqen menjëherë, disa thonë se ne duhet të qendrojmë atje. Pra tani për tani demokratët nuk flasim me një zë për çështjet e Irakut”.

Demokratët mund të jenë të ndarë, por analistët politikë i shikojnë zgjedhjet e nëntorit për Kongresin si një referendum për mënyrën se si Presidenti Bush e ka trajtuar Irakun.

XS
SM
MD
LG