Lidhje

Pavarësia e Kosovës dhe çështje që lidhen me të - diskutim në Universitetin Xhorxhtaun


Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Javier Solana, i kërkoi të mërkurën në Bruksel Kryeministrit Agim Çeku mbrojtje të plotë të pakicës serbe në Kosovë. Zoti Solana tha se është folur shumë, por pak është bërë për mbrojtjen e saj.

Tema e pakicave në Kosovë ishte një nga çështjet më të rrahura edhe në diskutimin që u zhvillua të enjten në Universitetin Xhorxhtaun, i organizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë Pasuniversitarë.

Ish-ambasadori amerikan në Turqi, Mort Abramovic, tha se negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës janë një mundësi për të bindur shumicën shqiptare të zbatojë masa reale për mbrojtjen e pakicave. “Duhet shfrytëzuar rasti për të ushtruar trysni ndaj shqiptarëve të Kosovës që të marrin masa e të miratojnë ligjet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes së serbëve dhe pakicave të tjera”.

Ambasador Abramovic thotë se, për ndërtimin e një shteti funksional në Kosovë, duhen zgjidhur tri çështje, kryesisht përmes Këshillit të Sigurimit. Vështirësitë që mund të ndeshen për shkak të pozicioneve të mundshme të Rusisë dhe Kinës, thekson ambasadori, shumëkush mendon se janë të kapërcyeshme. “Fillimisht Kosova duhet të pranohet në Kombet e Bashkuara dhe t’i jepet mundësi të bashkëpunojë me organizmat financiare ndërkombëtare. Çështja e dytë është zëvendësimi i UNMIK-ut. Cilat janë ato institucione vendase në gjendje për të marrë frenat në dorë dhe cili do të ishte roli i perëndimit gjatë këtij procesi?” Kurse çështja e tretë, thotë ambasadori, ka të bëjë me zgjidhjen e qytetit të ndarë të Mitrovicës.

Doktor Çarles Kapçan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Xhorxhtaun, mendon se është gabim heqja nga tryeza e bisedimeve e mundësisë për ndryshime territoriale, meqenëse “një pjesë e Kosovës është e lidhur de facto me Serbinë”. “Nëse bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina nuk janë të përgatitura të marrin masat e duhura për ribashkimin e Mitrovicës dhe Kosovës Veriore me një shtet funksional kosovar, nuk mendoj se duhet ta konsiderojnë ndarjen si të papranueshme. Kjo është një zonë e banuar gati 100 përqind nga serbët. Sistemi arsimor, ai shëndetësor administrohen nga Beogradi. Ky i fundit ka madje oficerë sigurimi në Mitrovicë në kundërshtim me rezolutën e Kombeve të Bashkuara. Për ta ribashkuar zonën me pjesën tjetër të Kosovës, duhet që këta oficerë të dëbohen dhe mendoj se as Bashkimi Evropian, as Shtetet e Bashkuara, nuk janë të gatshme për diçka të tillë”.

Ndërkaq, doktor Çarls King i Universitetit Xhorxhtaun është i mendimit se asnjë prej diskutimeve për Kosovën dhe të ardhmen e saj nuk ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare, por me vetëvendosjen, pasi sipas tij, vetëvendosja ka qenë parimi, mbi bazën e të cilit bashkësia ndërkombëtare ka vepruar në Ballkan 15 vjetët e fundit. “Shqiptarët e Kosovës nuk e meritojnë pavarësinë më shumë se Serbët e Krajinës, apo ata të Republikës Serbe të Bosnjës. Po ashtu edhe në rastin e kombeve të tjera, si për shembull kurdët, Republika Turke e Qipros, apo raste të tjera në Euroazi. Por nga ana tjetër, po ta shohim problemin se cila zgjidhje do ta bëjë të ardhmen e rajonit më shumë apo më pak të qendrueshme - këndvështrim që është pjesë e logjikës që i dha fund Jugosllavisë - atëherë një Kosovë e pavarur do të përputhej me logjikën e shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe ky është gjithashtu përfundim logjik përsa i përket pavarësisë së Malit të Zi”.

Që të tre ekspertët e hedhin poshtë mundësinë e destabilizimit të Maqedonisë, nëse Kosova bëhet shtet i pavarur.

Ndërkohë që kanë filluar bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që pritet të çojnë drejt përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, si bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe studiuesit nuk e kanë zgjidhur ende dilemën nëse Kosova do të mbetet një çështje e veçantë, apo do të kthehet në precendent për rajone të tjera të botës. //az//

XS
SM
MD
LG