Lidhje

Presidenti Bush vlerëson lart Shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë që dha dorëheqjen


Shefi i Personelit i Shtëpisë së Bardhë Andi Kard dha dorëheqjen dhe do të zëvendësohet nga drejtori i buxhetit Josh Bolten. Presidenti Bush i deklaroi sot ndryshimet, duke e vlerësuar punën e zotit Kard gjatë pesë vjetëve e gjysëm që ishte në detyrë. Presidenti Bush tha se ishte mbështetur në këshillat e tij të mençura dhe integritetin e tij absolut. Presidenti tha se Josh Bolten është ekspert për çështje të ekonomisë dhe buxhetit dhe se do të fillojë detyrën e re në mes të prillit. Ndryshimi në personelin e Shtëpisë së Bardhë bëhet ndërkohë që Partia Republikane e Presidentit Bush i ka bërë atij thirrje të marrë disa këshilltarë të rinj me ide të reja. Anketat e fundit tregojnë se mbështetja për Presidentin Bush ka rënë në nivelin më të ulët dhe afro 70 për qind e amerikanëve thonë se vendi është në drejtim të gabuar.

Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë korrespondenti ynë Skot Sterns, masa e re pason thirrjet nga brenda vetë partisë së Presidentit për të riorganizuar personelin e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa anketat tregojnë se mbështetja e publikut për politikat e Presidentit ka rënë në nivelet më të ulta.

Presidenti Bush tha se Shefi i Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Andi Kard i shërbeu vendit në momente historike paqeje dhe lufte.

“Në të gjitha këto sfida dhe arritje, unë janë bazuar tek këshillat e tij, tek qetësia e tij në raste krizash, tek integriteti i tij dhe angazhimi i tij i palodhshëm në shërbim të vendit. Andy gëzon respektin e gjithë kolegëve të tij për thjeshtësinë, drejtësinë dhe maturinë.” - tha Presidenti.

Zoti Kard do të largohet nga detyra më 14 prill, pas qëndrimit për 5 vjet e gjysmë në një prej posteve më të vështira në Uashington. Që nga sulmet terroriste të vitit 2001, tek luftrat në Afganistan dhe Irak, zoti Kard, shërbeu si këshilltar i afërt i Presidentit gjatë një mandati të vështirë dhe po ashtu luajti rol të rëndësishëm në rizgjedhjen e presidentit.

“Shumicën e ditëve, Andi ishte i pari që mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte mes të fundit që largohej. Dhe gjatë atyre orëve të gjata të punës për shumë vite unë e njoha atë më shumë se sa thjesht Shef Kabineti. Ai po largohet nga Shtëpia e Bardhë por ai do të mbesë përherë miku im.”- tha Presidenti.

Presidenti dhe zonja Bush e njohin familjen Kard për më se 20 vjet. Ai ka qënë Nënsekretar i Transportit gjatë adminsitratës së të atit të Presidentiot të tanishëm Bush. Më pas, zoti Kard ka qënë ndihmës i posaçëm i ish Presidentit Regan. Dhe kur presidenti Bush filloi nga detyra në vitin 2001 ai ishte kandidatura e tij e parë për postin e Shefit të Kabinetit.

Por anketat e fundit që tregojnë rënien e popullaritetit të presidentit, si dhe problemet e tjera, si dështimi i një prej kandidaturave për Gjykatën e Lartë, apo bërja publike e programit të përgjimit dhe kundërshtimet e republikanëve ndaj planit të një firme të Dubait për të marrë nën kontroll operacionet në disa porte amerikane, bënë që disa figura të partisë republikane të presidentit të kërkonin ndryshime.

Presidenti Bush tha se e pranoi dorëheqjen e zotit Kard gjatë fundjavës në pikën e pushimit presidencial në Kamp David. Zoti Kard do të zëvendësohet nga një zyrtar tjetër që ka punuar prej kohe në Shtëpinë e Bardhë, Drejtori i Buxhetit Josh Bolten, i cili po ashtu ka shërbyer edhe me ish presidentët Bush e Regan.

Presidenti Bush tha se zoti Bolten është ekspert i buxhetit dhe ekonomisë.

“Ai gëzon respektin e anëtarëve të Kongresit nga të dyja partitë. Ai është përkrahës i fortë i një drejtimi të efektshëm dhe të përgjegjshëm të qeverisë federale. Ai është i hapur, me humor, i drejtëpërdrejtë dhe ka përvojë në marrjen e përgjegjësive.” - tha Presidenti.

Presidenti tha se tre vitet e ardhshme do të jenë intensive për ata që i shërbejnë vendit, me luftën globale kundër terrorizmit dhe krijimin e mundësive për të zgjeruar ekonominë amerikane. Presidenti tha se e ka për nder që ka shërbyer me zotin Kard dhe ka besim të madh tek shefi i tij i ri i kabinetit.//lk

XS
SM
MD
LG