Lidhje

Amnesty International: Qeveria shqiptare e ka neglizhuar dhunën ndaj gruas në familje


Dhuna ndaj gruas në Shqipëri është më shumë temë e kronikës së zezë në media, sesa e debatit politik, por një raport i fundit i organizatës Amnesty International e vë gishtin mbi këtë plagë të hapur të shoqërisë shqiptare. Amnesty International thotë se është detyrë e qeverisë që të marrë masa për zgjidhjen e këtij problemi. Megjithëse nuk ka statistika zyrtare, sipas studimeve të kryera 10 vjetët e fundit një e treta a grave në Shqipëri i nënshtrohet dhunës në familje. Sian Jones eksperte për Shqipërinë në organizatën Amnesty International tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se janë autoritetet zyrtare dhe figurat me peshë të shoqërisë që duhet të përmbysin mentalitetin që ushqen këtë dukuri. Zonja Xhons e dha intervistën nga Londra para se të nisej për në Shqipëri ku do të prezantojë raportin.

Zëri i Amerikës: Zonja Jones, a mund të na njihni ju lutem me përfundimet kryesore të raportit të organizatës suaj për dhunën në familje në Shqipëri?

Sian Jones: Përfundimi kryesor i studimit tonë është që qeveria shqiptare nuk e ka marrë seriozisht përgjegjësinë e saj për të mbrojtur gratë nga dhuna në familje dhe ka dështuar në ndjekjen penale dhe ndëshkimin e shkaktarëve të kësaj dhune. Marrja e këtyre e masave mbrojtëse ishte rekomanduar nga Komiteti për eliminimin e diskriminimit ndaj grave në vitin 2003, si edhe nga komisioneri i posaçëm për çështjet e dhunës kundër grave në fund të viteve 1990. Ne themi në raport se ka ardhur koha që kjo qeveri t’i rikthehet kësaj çështjeje dhe të marrë masa.

Në një farë mase meqenëse dhuna në familje nuk parashikohet si krim në legjislacion, mungojnë statistikat. Kështuqë qeveria shqiptare në të vërtetë nuk e ka idenë se në çfarë përmasash është kjo shkelje e të drejtave të njeriut, apo sesa e përhapur është ajo. Ne shpresojmë që me raportin tonë ta bindim qeverinë se ky është një problem shumë serioz dhe që ajo duhet ta luftojë atë me disa mënyra. Një nga përpjekjet që po bëhen është ajo për një ligj për dhunën në familje që po hartohet nga një numër organizatash joqeveritare dhe që iu paraqit parlamentit përmes një peticioni të rreth 20 mijë qytetarëve në janar të këtij viti.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni ju se mund të bëhet për t’i bindur këto gra që ky është një problem social dhe jo personal?

Sian Jones: Ideja për të raportuar diçka kaq personale tek policia, tek autoritetet, për të shkuar në gjyq është diçka që gratë e kanë të vështirë ta bëjnë në shumë vende. Ajo që na shqetëson veçanërisht në Shqipëri është ndjenja e fajit tek gruaja që rrihet dhe jo tek burri që e rreh. Dhe ne mendojmë se një nga masat që mund të marrë qeveria shqiptare, në bashkëpunim me organizatat e grave që po merren me këtë çështje, do të ishte një fushatë për t’u thënë grave që ato kanë të drejtën të mos keqtrajtohen. Dhuna kundër grave është shkelje e shumë prej të drejtave të njeriut, mes së cilave e drejta për të mos u keqtrajtuar. Disa në disa raste që ne kemi hasur bëhet fjalë deri për torturë. Qeveria shqiptare duhet t’ua bëjë të qartë grave që ato nuk kanë pse t’i nënshtrohen një trajtimi të tillë dhe se ky është një problem për gjithë shoqërinë, për qeverinë dhe jo vetëm një çështje personale që ato duhet ta përballojnë të vetme për gjithë jetën.

Zëri i Amerikës: A shqyrtohet në raportin tuaj dhuna psikologjike dhe fakti që është gruaja ajo që paragjykohet moralisht edhe në rastet kur çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje, apo probleme familjare shkojnë para organeve të rendit, apo drejtësisë?

Sian Jones: Ne folëm me shumë gra në Shqipëri që kishin vuajtur nga forma të ndryshme dhune, përfshirë atë psikologjike. Disa herë ajo ishte e kombinuar me dhunë fizike, ose në disa raste kërcënimi për dhunë mjaftonte për të frikësuar gratë aq sa të mos shkonin në punë, të mos takonin miq, të mos takonin askënd tjetër përveç bashkëshortëve të tyre. Kufizimet që u ishin vendosur grave thjesht me kërcënime dhe me sjelljen e partnerëve të tyre, ishin me të vërtetë të frikshme. Dhe mendoj se është vërtet e vështirë për njerëzit që të arrijnë ta kuptojnë që ky është në fakt një nga mekanizmat e dhunës në familje. Në disa raste vendimet e gjykatës e pranonin që bëhej fjalë për dhunë psikologjike, por ato në fakt ishin shumë të pakta dhe mendoj se është diçka shumë e vështirë për t’u konceptuar nga njerëzit. Është shumë e thjeshtë që ta kuptosh se ai ka rrahur, apo vrarë dikë duhet të ndiqet penalisht. Në Shqipëri ekziston neni 84 që ka të bëjë me rastet kur kërcënohet dikush për t’u vrarë me thikë, apo armë zjarri dhe në fakt bëhet fjalë për shumë psikologjike, kështuqë edhe kuadri ligjor ekziston në Shqipëri, vetëm se duhet zgjeruar përdorimi i tij dhe prokuroria dhe gjykatat duhet të bëjnë përpjekje në këtë drejtim, se dëmi nga dhuna psikologjike është po aq i madh. Kemi patur rast ta shohim një gjë të tillë me gratë që shtrohen në pavionet psikiatrike, pasi i janë nënshtruar me vite me radhë dhunës psikologjike.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për faktorin ekonomik. Sa mendoni ju se ndikon varësia ekonomike e këtyre grave dhe pamundësia për të përballuar jetën të vetme tek dhuna në familje?

Sian Jones: Mendoj se ndikimi është i jashtëzakonshëm dhe një nga dukuritë që është vënë re në periudhën e tranzicionit është se numri i grave që punojnë është ulur dhe vendet e punës ku ato mund të fitojnë të ardhura në mënyrë të pavarur janë të pakta. Megjithëse Kodi i Familjes i vitit 2003 parashikon që gratë të kenë mbështetje pas divorcit, ose që të paktën duhet të kenë mbëshetje për fëmijët e tyre dhe që i lejon gruas kur fëmijët janë nën kujdestarinë e saj të jetojë në banesën e familjes pas divorcit, këto klauzola nuk po zbatohen. Kështuqë masat që do të garantonin punësimin e grave, strehimin e tyre dhe një formë pavarësie ekonomike, janë absolutisht thelbësore që gratë të mund të braktisin martesa të dhunshme.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët nevojën për ndryshime në legjislacion dhe për marrjen e masave nga ana e institucioneve, por a mendoni ju se ka mekanizma që do të shërbenin për ndryshimin e mentalitetit lidhur me dhunën në familje?

Sian Jones: Mendoj se çdo shoqëri mendon që pengesa më e madhe është mentaliteti dhe shumë nga ata që ne intervistuam thanë se gjendja nuk do të mund të ndryshojë kurrë për shkak të mentalitetit shqiptar. Unë mendoj se ndryshimi duhet të vijë nga qeveria, autoritetet, të moshuarit e komunitetit, udhëheqësit e komunitetit, drejtues të partive politike dhe figura fetare, si edhe profesionistë të fushës së shëndetësisë. Organizatat e grave dhe ata që e mbështesin këtë projekt-ligj e kanë ndërmarrë tashmë këtë rol. Mendoj se do të jetë një proces i ngadaltë, por mendoj se tani është momenti i duhur që gratë të dalin nga ajo gjendje ku kanë qenë, të kuptojnë që është e drejta e tyre që të mos rrihen në marrëdhëniet e tyre martesore dhe nëse rrihen kanë të drejtën që të heqin dorë nga këto martesa.

XS
SM
MD
LG