Lidhje

SHBA: Ndryshimi në kabinetin e Shtëpisë së Bardhë mund të forcojë pozitën e Presidentit Bush


Republikanët në Kongres shpresojnë që shefi i ri i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Josh Bolten do të kontribuojë që të përmirësohet pozita politike e Presidentit Bush. Zoti Bolten do të zëvendësojë shefin e kabinetit të deritanishëm Andy Card që e ka mbajtur këtë post për një kohë të gjatë.

Ndryshimi në kabinet bëhet pasi mbështetja për Presidentit Bush sipas sondazheve ka rënë shumë dhe pas kërkesave të republikanëve për ndryshime në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Bush e cilëson Josh Boltenin si një njeri me ide të reja politike.

“Ai është njeri i hapur, me humor dhe i drejtpërdrejtë që nuk druhet nga përgjegjësia dhe di si të drejtojë”.

Bolten është aktualisht drejtor i buxhetit dhe ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Presidentit.

Zoti Bolten zëvendëson Andy Cardin që ka shërbyer në krah të Presidentit Bush për afro pesë vjet e gjysmë, i dyti shef kabineti në histori që shërben për një kohë kaq të gjatë.

Zoti Card do të mbahet mend si këshilltari që i dha presidentit lajmin e sulmit të 11 shtatorit, duke i pëshpëritur në vesh.

Stephen Hess është ekspert presidencial dhe profesor i çështjeve të medias dhe publike në Universitetin George Washington.

Ai thotë se Presidentët bëjnë shpesh ndryshime mes këshilltarëve të tyre në mandatet e tyre të dyta, veçanërisht kur përballen me rënien e mbështetjes së publikut.

“Shumë njerëz kanë kërkuar ndryshime. Një gjë e tillë ndodh në çdo administratë kur një president ndeshet me probleme. Ekspertët në Washington e disa herë edhe të tjerë kërkojnë që të merren masa”.

Republikanët në Kongres shqetësohen se mos pozita e dobët e presidentit në sondazhe mund të dobësojë shanset e tyre për rizgjedhje në votimet për Kongres në nëntor.

Disa republikanë i kishin kërkuar presidentit Bush që të gjente një person jashtë rrethit të tij dhe me më shumë përvojë për të kryesuar kabinetin e Shtëpisë së Bardhë me shpresën për të përmbysur përshtypjet negative për politikën e administratës në Irak dhe reagimin pas uraganit Katrina.John Fortier është ekspert në Institutin American Enterpise në Washington.

“Mendoj se njerëzit do të jenë të kënaqur me Josh Boltenin si një person kompetent, shumë i zoti për të zënë vendin e zotit Card. Por në të vërtetë nuk u soll një njeri i ri. Unë mendoj se njerëzit donin dikë me më shumë përvojë, një republikan që ka pasur një karrierë më parë që të ishte në gjendje të fliste me Presidentin Bush jashtë këshilltarëve të tij”.

Ekspertët thonë se është diçka e rrallë që ndryshimet mes këshilltarëve të kenë ndikim tek mënyra sesi publiku e sheh presidentin dhe politikat e tij. Por analisti Stephen Hess thotë se ka pasur raste kur ka patur ndikim.

“Mendoj se pati ndikim kur Ronal Reagani mori si këshilltar ish –senatorin Howard Baker pas skandalit Iran Contras. Pse? Sepse ishte skandal. Gjërat duhej të ndryshonin dhe një person nga jashtë erdhi ta bënte këtë. Ishte diçka e veçantë. Situata e tanishme me Presidentin Bush, cilatdo të ishin problemet e tij, nuk ka të bëjë me një skandal”.

Në fakt thotë Stephen Hess, në qendër të problemeve politike të administratës është pakënaqësia e publikut për politikat e Presidentit Bush në Irak.

“Kryesisht bëhet fjalë për Irakun. Nuk ka kuptim të flitet për politikën e tij të arsimit, ose diçka të ngjashme. Ai ka gjashtë vjet në detyrë. Ai ka një çështje politike për të cilën po i luan të gjithë gurët. A do të funksionojë? Të shohim”.

Pas një peridhe që do të punojë me zotin Card për kalimin e detyrës, zoti Bolton merr detyrën këtë muaj.

XS
SM
MD
LG