Në Shqipëri shumica e djathtë vendosi sot pasdite me 73 vota pro heqjen e deputetit Saprtak Ngjela nga kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe transferimin e tij në komisonin e Medias. Deputeti demokrat Ngjela i cili është shkarkuar nga të gjitha funskionet partiake dhe parlamentare pas një debati me kryeministrin Sali Berisha, tha në parlament se nuk e pranonte një vendim të tillë. Po sot pasdite parlamenti miratoi edhe kompromisin e arritur për mënyrën e votimit më kuti në rastet e emërimit dhe shkarkimit të personave të vecantë .
Për javë të tëra pozita dhe opozita u përfshinë në një luftë nervash ku asnjëra palë nuk lëshonte nga pozicioni i vet. Shumica e djathtë e cila konsideronte se regullorja nuk mund të prekej dhe të majtët që nisën betejën për të sanksionuar, siç shpreheshin ata, votën e fshehtë në parlament. Për pasojë salla e parlamentit u kthye në një arenë përplasjesh ku mbizotëronin bilibilat dhe boritë e opozitës e ku nuk munguan edhe konfliktet me punonjësit e gardës së Republikës.
Situata bllokuese, u reflektua dhe në shqetësimin e institucioneve ndërkombëtare që mëse një herë kërkuan zgjidhjen e shpejtë të krizës duke propozuar që të ishte shumica ajo që të bënte hapin e parë.
Java, që sapo u mbyll dha dhe sinjalet e para se mund të shkohej drejt një kompromisi, ndërsa sot paradite u ra më në fund dakort duke u pranuar një variant i ndërmjetëm i propozuar nga zoti Neritan Ceka deri në instalimin e një sistemi të ri elektronik në parlament. "Parlamenti zbaton në mënyrë të menjëhershme votimin me kuti nëtë gjitha rasdtet kur votohet për persona, përvecse kur në rregullore parashikohet ndryshe, në mënyrë që me vetëm kërkesën e 7 deputetëve kutia e votimit t zbatohet menjëherë", tha zoti Ceka.
Sipas tij është rënë dakort që brenda dy javësh grupet parlamentare të përcaktojnë kërkesat që ato kanë për votimin e fshehtë elektronik në mënyrë që të zgjidhet një sistem të pranuar nga të gjitha palët.
Kryetari i partisë socialiste Edi Rama e konsideroi kompromisin e sotëm si një fitore të opozitës: "Sot opozita fitoi betejën për sanksionimin e votës së fshehtë në parlament. Fakti që mjaftoi një interpretim i rregullores për t'i dhënë të drjtë opozitës dhe për të demistifikuar përfundimisht përrallën e sistemit elektronik, është i mjaftueshëm për të kuptuar që e gjithë kjo kohë u vra në dëm të parlamentarizmit", deklaroi zoti Rama.
Kriza e parlamentit nisi menjëherë pas votimit për mocionin e shkarkimit ndaj kryetares së parlamentit Jozefina Topalli, ku shumica nuk pranoi zbatimin e kutisë së fshehtë dhe pasi sistemi elektronik dëshmoi probleme serioze duke perfshire ne votim deputete qe mungonin në sallë apo duke lënë jashtë edhe kryeministrin i cili kishte marrë pjesë në votim. //ad//