Lidhje

Kërkohen më shumë të drejta për imigrantët e paligjshëm në SHBA


Qindra mijë njerëz u grumbulluan dje në qytete të ndryshme amerikane në kërkim të më shumë të drejtave për imigrantët e paligjshëm, numri i të cilëve në Shtetet e Bashkuara vlerësohet në mëse 11 milionë.

Fushata e tyre po cilësohet si e ngjashme me lëvizjen e të drejtave civile për zezakët amerikanë në vitet 60.

Dje, në më shumë se 60 qytete amerikane u zhvilluan marshime. Organizatorët e quajtën ditën e djeshme si Dita Kombëtare e Veprimit për të Drejtat e Imigrantëve.

Dhjetra mijë njerëz që valvisnin flamurë amerikanë dëgjuan dje fjalime në lëndinën qendrore të Uashingtonit.

Manifestime u zhvilluan kudo, që nga komuniteti i vogël fermer Garden City i shtetit Kansas e deri në qytetin e Nju Jorkut ku morën pjesë mijra vetë.

Një nga marshimet e para të ditës së djeshme ishte ai në Atlanta të shtetit Georgia, ku të paktën 40 mijë njerëz formuan një det bluzash të bardha gjatë një marshimi prej tre kilometrash.

Marshimet e djeshme pasojnë protestat e shumta kundër një projektligji të Dhomës së Përfaqësuesve i cili i klasifikon klandestinët si shkelës të ligjit.

Ky projekligj parashikon edhe forcimin e masave të kontrollit të kufijve dhe ndëshkimin me gjoba të rënda të kompanive që punësojnë imigrantë të paligjshëm. Kritikët thonë se projekt-ligji vë në shenjestër padrejtësisht imigrantët hispanikë, të cilët vijnë në Shtetet e Bashkuara për të gjetur punë.//ii

XS
SM
MD
LG