Lidhje

OSBE i kërkon parlamentit shqiptar të çojë përpara reformën zgjedhore


Kryetari i Zyrës së OSBE në Tiranë, Ambasadori Pavel Vacek, nxiti parlamentin dhe forcat politike që të shpejtojnë punën për reformën zgjedhore. Ai deklaroi të mërkurën se masat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme duhet të merren sa më shpejt. "Sugjerimi i parë është që komisioni i përbashkët parlamentar për reformën zgjedhore të vazhdojë punën, tha Ambasadori Vaçek, sepse ata duhet të arrijnë një marrëveshje edhe për parametrat e funksionimit të këtij komisioni. E dyta, është fokusimi që nevojitet mbi çështjet që kanë bëjnë me veprimtarinë e bashkive dhe komunave. Për zgjedhjet duhen bërë përgatitje të njëkohshme legjislative dhe teknike, ndaj sa më shpejt të fillojë puna për këto përgatitje, aq më mirë".

OSBE përshëndeti mirëkuptimin e arritur në parlamentin shqiptar për përmirësime në rregulloren e institucionit më të lartë ligjvënës duke theksuar në një deklaratë se çështja e votës së fshehtë u bë shkaku i një bllokimi disajavor të parlamentit. Marrëveshja për rregulloren zhbllokoi situatën në parlamet dhe u dha fund protestave disajavore të deputetëve të opozitës, që kundërshtuan si të dyshimtë dhe të pasaktë votimin e fshehtë elektronik të një mocioni ndaj kryetares së parlamentit.

Institucionet e Tiranës ende nuk kanë vendosur një datë të saktë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Formalisht ato do të duhej të mbahen në tetor, kohë kur u mbajtën edhe zgjedhjet e tjera 3 vjet më parë. Por sipas disa interpretimeve të tjera, pretendohet se zgjedhjet vendore duhet të mbahen në pranverën e vitit 2007, kohë, kur edhe nisi mandati i pushtetarëve vendorë aktualë. Vonesat disamujore në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve vendore në tetor 2003 sollën edhe një zhvendosje disamujore të mandateve të bashkiakëve fitues.

Në qarqet politike ende nuk ka komente publike mbi këtë temë, por jozyrtarisht mendohet që vonesat e shkaktuara me reformen zgjedhore u interesojnë forcave kryesore politike për ta shtyrë garën zgjedhore në të njëjtin vit me zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Problemi, sipas analisteve të shtypit, është se vonesa e reformës zgjedhore është një problem i madh jo vetëm për tetorin, por ajo është po aq shqetësuese edhe sikur zgjedhjet te mbaheshin në marsin e vitit tjetër. //az//

XS
SM
MD
LG