Lidhje

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë jep dorëheqjen


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Skot Meklellën njoftoi se do të largohet nga ky post, në kuadër të riorganizimit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa miratimi i politikave të presidentit, sipas anketave, ka rënë në nivelin më të ulët.

Java e parë në detyrë për shefin e ri të kabinetit të Presidentit Bush, Xhosh Bolten, ka qënë tepër e ngarkuar, ndërsa ai duhet të plotësojë vendin e tij të vjetër, si drejtor buxheti dhe tani edhe postin e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë.

Duke qendruar me Presidentin në krah, zëdhënësi Meklellën njoftoi sot dorëheqjen pas 7 vjetësh në Shtëpinë e Bardhë, nga të cilat 3 vjetët e fundit, si zëdhënësi i saj kryesor.

“Jam gati për të lëvizur. Kam qënë në këtë post për një kohë tepër të gjatë dhe tani, së bashku me familjen presim me padurim jetën e re. Gjatë këtyre viteve me ekipin e Shtëpisë së Bardhë kemi patur shumë arritje dhe sot ndihem krenar dhe mirënjohës, që kam qënë pjesë e këtij ekipi të vogël e të talentuar", tha zëdhënësi Meklellën.

Presidenti Bush e falenderoi zotin Meklellën për shërbimin ndaj vendit dhe për punën e kryer më së miri.

“Nuk e di në se ekipi i gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë e di apo jo, por detyra e tij është tepër e vështirë, që të merresh përditë me shtypin. Ai i kreu funksionet me dinjitet dhe integritet,” tha Presidenti Bush.

Zoti Meklellën u bë zëdhënësi kryesor i Shtëpisë së Bardhë në qershor të vitit 2003, pas largimit të zëdhënësit Ari Flaisher, pak pas ndërhyrjes në Irak, në një kohë kur shumica e amerikanëve e mbështesnin luftën dhe presidentin. Zoti Meklellën ishte fytyra publike e administratës së Presidentit Bush, gjatë disa momenteve të vështira, si dështimi për të gjetur armë të shkatërrimit në masë në Irak, dështimi i kandidaturës për Gjykatën e Lartë, dalja në publik e programit të përgjimeve si dhe debati rreth marrëveshjes tregëtare me një firmë portesh të Dubait.

Dy herë në ditë, në konferencat e rregullta të shtypit, zëdhënësi Meklellën mbronte qendrimin e presidentit ndaj Irakut në një kohë kur mbështetja e publikut po binte. Kjo rënie, e shoqëruar me nivele të ulta rekord të mbështetjes për polikat e presidentit, ka shtuar trysninë për riorganizim të personelit ndërsa shefi i kabinetit Xhosh Bolten, do të synojë të rigjallërojë ekipin e këshilltarëve të presidentit për dy vjetet e fundit të mandatit të presidentit. Zoti Meklellën e përmendi këtë në fjalën e tij të dorëheqjes, duke thënë se kjo periudhë ndryshimesh në Shtëpinë e Bardhë është një momenti i mirë për të për të lëvizur dhe se ndryshimet mund të ndihmojnë. Në Shtëpinë e Bardhë priten ndryshime të tjera.

Zoti Bolten e bindi këshilltarin e vjetër politik të presidenit Karl Rov, të tërhiqet nga posti i hartimit të strategjive dhe të përqëndrohet më shumë në çështjet politike para zgjedhjeve për në Kongres që zhvillohen në nëntor.

XS
SM
MD
LG