Lidhje

Ambasadori Wisner takohet me Presidentin e Shqipërisë


I dërguari i SHBA për bisedimet rreth statusit të Kosovës, amb Frank Wisner u takua të enjten në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë me presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu. Sipas burimeve zyrtare nga takimi, zoti Moisiu është shprehur se çështja e Kosovës meriton një zgjidhje të shpejtë dhe të plotë dhe se zhvillimet e fundit në Prishtinë janë pozitive.

Duke vlerësuar ndihmesën amerikane në Kosovë dhe në rajon, presidenti Moisiu deklaroi gjatë takimit me ambasadorin Wisner se zgjidhja e plotë për Kosovën është pavarësia e saj dhe krijimi i një shteti demokratik që garanton dhe respekton të drejtat e pakicave etnike.

Të dy zyrtarët e lartë kanë diskutuar gjatë për situatën në Ballkan, përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane si dhe ecurinë e bisedimeve për statusin e Kosovës. Ambasadori Wisner u takua një ditë më parë me kryeministrin Sali Berisha, dhe në deklaratat pas takimit u shpreh optimist se "statusi i ardhshëm i Kosovës do të mbyllet brenda vitit 2006".

Ai deklaroi për shtypin se "përmbyllja e bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës do të hapë një faqe të re në jetën e rajonit me paqe qëndrueshmëri dhe prosperitet". Sipas tij, "bisedimet kanë përparuar dhe pritet që përpjekjet e zotit Ahtisari të mbyllen me një marrëveshje për decentralizimin, të drejtat fetare dhe ato të pakicave. Ambasadori Wisner e vizitoi Shqipërinë në vazhdën e një turneu në rajon, gjatë të cilit qëndroi në Prishtinë dhe Beograd.

XS
SM
MD
LG