Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas ndodhet për një vizitë në Turqi, për bisedime mbi procesin e bllokuar të paqes dhe mbi ndikimin që mund të ketë pezullimi i ndihmës evropiane për qeverinë palestineze të udhëhequr nga Hamasi .
Gjatë vizitës së tij dy-ditore në Turqi, zoti Abbas pritet të takohet me Presidentin Ahmaed Neçdet Sezer dhe me Kryeministrin Rexhep Taip Erdogan. Javën e ardhshme ai do të shkojë për vizitë në Norvegji, në Finlandë dhe në Francë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i ndërprenë ndihmat direkte për qeverinë palestineze në fillim të vitit, pasi Hamasi refuzoi të dënonte dhunën dhe të njihte shtetin e Izraelit.
Turqia vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta si me Izraelin, edhe me palestinezët dhe vazhdimisht ka luajtur rolin e ndërmjetësit në konfliktin e gjatë.
Në shkurt, qeveria e Ankarasë e zemëroi Izraelin, kur pranoi që në Turqi të zhvilloheshin bisedime me një delegacion të Hamasit, lidhur me atë që qeveria turke e cilësoi si një përpjekje për ta bindur Hamasin ta dënojë dhunën. //rd//