Lidhje

Një zyrtare e organizatës IFES thotë se në Kosovë është rritur ndërgjegjësimi për korrupsionin


Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore, IFES, thotë se në Kosovë është rritur ndërgjegjësimi për ekzistencën e korrupsionit. Violaine Autheman, këshilltare ligjore në IFES, thotë se megjithatë qytetarët në Kosovë nuk i njohin mire të drejtat e tyre ligjore gjë që mund të sjellë pasoja për ekonominë dhe liritë e tyre civile. Zonja Authman thotë se serbët e Kosovës janë veçanërisht mosbesues ndaj institucioneve të drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Zonja Authman cilat janë pasojat e mungesës së informimit për sistemin ligjor dhe të drejtësisë në Kosovë?

Violaine Authman: Problemi është që qytetarët nuk kanë aq njohuri sa të jenë në gjendje të kërkojnë të drejtat, qofshin këto për të liritë civile, apo thjesht të drejtat e pronës. Ata nuk dinë ku të drejtohen kur u lind një problem dhe nuk dinë sesi të zgjidhin mosmarrëveshje për kontrata, ose familjare. Një gjë e tillë ka pasoja për ekonominë në Kosovë, si edhe për vetë liritë civile dhe personale të njerëzve.

Zëri i Amerikës: Pse është veçanërisht urgjente që të diskutohen këto probleme, që të zgjidhen ato tani që kanë filluar diskutimet për statusin përfundimtar të Kosovës?

Violaine Authman: Të drejtat ligjore dhe gjyqësore janë probleme në çdo shoqëri demokratike dhe është veçanërisht e rëndësishme për jetën e përditshme të njerëzve që të jenë në gjendje t’i kërkojnë këto të drejta dhe që një gjykatë të vendosë për to kur është e nevojshme.

Zëri i Amerikës: Sipas jush a ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës dhe përmirësimit të mundshëm të kësaj gjendjeje, apo këto janë simptomat e demokracive të brishta siç janë ato të vendeve të Ballkanit?

Violaine Authman: Informimi për probleme gjyqësore dhe ligjore, nuk është një problem vetëm për Kosovën. Është diçka që mund ta hasësh në shumë vende të botës. E veçanta për Kosovën, janë ndryshimet e shumta ligjore të gjashtë viteve të fundit dhe kjo po e bën situatën edhe më të vështirë përsa i takon përdorimit të këtyre mekanizmave dhe marrjes së informacionit.

Para kësaj ankete të vitit 2005, ishte kryer një tjetër në vitin 2004 dhe shohim që ka pasur një përmirësim të lehtë përsa i takon informimit. Për shembull numri i njerëzve që dinë se ku dhe si t’i gjejnë ligjet është rritur nga 10 deri në 25 për qind. Kjo është një shenjë pozitive për të ardhmen dhe ne besojmë që me kalimin e kohës njerëzit do të jenë më të informuar se ku të shkojnë për të zgjidhur problemet e tyre.

Zëri i Amerikës: Në anketë përmendet fakti që popullsia e Kosovës nuk ka besim tek sistemi i drejtësisë dhe për praktika korruptive për gjyqtarët, prokurorët, punonjësit ligjorë në përgjithësi. Ndërkohë anketa është bërë para se Ministria e Drejtësisë dhe Rendit t’i dorëzoheshin autoriteteve lokale dhe pas kësaj ka pasur kritika të shumta. Cili do të ishte komenti juaj për këtë situatë?

Violaine Authman: Numri i njerëzve që mendojnë se ka korrupsion është rritur nga gjysma e të pyeturve në dy të tretën. Gjithashtu mes njerëzve që kanë shprehur shqetësim për objektivitetin e sistemit të drejtësisë, kur u pyetën se cilët grupe njerëzish janë favorizuar nga sistemi gjyqësor, ata përmendën njerëzit me lidhje me gjykatat, apo ata që janë në gjendje të mirë financiare. Kështu që nga sondazhi del që korrupsioni, favorizimet janë rritur, ose të paktën perceptimi se këto dukuri ekzistojnë është bërë më i madh. Kjo ndoshta ka të bëjë me rritjen e ndërgjegjësimit që disa praktika janë të gabuara dhe nuk duhet të ndodhin dhe njerëzit kanë filluar t’i shohin këto praktika si problematike dhe t’i quajnë korruptive. Kështu nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për rritjen e korrupsionit, apo ndërgjegjësimin se po ndodh korrupsion. Shpresojmë që rritja e ndërgjegjësimit të sjellë si rezultat rritjen e reagimit nga autoritetet për të marrë masa kundër korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Si mendoni ju se ndikon mosbesimi i serbëve të Kosovës tek sistemi i drejtësisë tek mungesa e kthimit të serbëve të Kosovës?

Violaine Authman: Anketa nuk ka të bëjë me serbë që kanë ikur nga Kosova, megjithatë niveli i mosbesimit mes serbëve të Kosovës, përbën një shqetësim të madh dhe duhet të shërbejë si inkurajim për të krijuar ndërgjegjësim dhe besim në institucionet e sektorit të drejtësisë, me masa edhe më konkrete dhe të detajuara sesa ato për popullsinë në përgjithësi.

XS
SM
MD
LG