Lidhje

Presidenti Bush mbi reformat në politikat e imigracionit


Presidenti Bush mbajti fjalimin para vendit për reformën e imigracionit, duke shpallur një plan që parashikon dërgimin e 6 mijë trupave të Gardës Kombëtare për të ndihmuar në sigurimin e kufirit me Meksikën.

Në fjalimin e mbajtur mbrëmë në televizion nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara për dekada me radhë nuk kanë patur kontroll të plotë mbi kufijtë e tyre.

Ai i bëri thirrje Kongresit të verë në dispozicion fonde për përmirësime dramatike për sa i përket personelit dhe teknologjisë që përdoret në sigurimin e kufirit.

Presidenti Bush tha se njësitë e gardës nuk do të angazhohen drejtpërdrejt në zbatimin e ligjit dhe theksoi se synimi i tij nuk është militarizimi i kufirit jugor amerikan.

Por ai theksoi se përpjekjet për sigurimin e kufirit duhet të shoqërohen me zbatimin e një programi për punësimin e përkohshëm të imigrantëve pa dokumente që ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se është kundër amnistisë për imigrantët e paligjshëm por edhe kundër deportimeve masive dhe bëri thirrje që imigrantëve t’u jepet mundësia ta marrin shtetësinë amerikane në rast se e meritojnë atë.

Presidenti Bush e mban fjalimin në një kohë kur senati po debaton mbi reformën e imigracionit.

Senatori Richard Durbin komentoi në emër të demokratëve dhe e përshëndeti faktin që Presidenti Bush kërkon të zbatojë një politikë shumëplanëshe për reformën e imigracionit.

Por ai paralajmëroi se Garda Kombëtare është tashmë tepër e shpërndarë në detyrat e saj dhe tha se Presidenti Bush duhet të bindë përfaqësuesit e partisë së tij republikane në Kongres për nevojën e zbatimit të një programi për punësimin e përkohshëm të imigrantëve të paligjshëm.

Në muajin dhjetor, Dhoma e Përfaqësueve miratoi një projektligj për reformën e imigracionit, ku kërkohet ndërtimi i një gardhi përgjatë një pjese të mirë të kufirit me Meksikën. Projektligji i quan kriminelë miliona imigrantët pa dokumente që ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara.//ii

XS
SM
MD
LG