Lidhje

Ahtisari: Cilido qoftë statusi, Kosova do të ketë nevojë për një prani ndërkombëtare


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, Marti Ahtisari tha sot se cilido qoftë statusi, Kosova do të ketë nevojë për një prani ndërkombëtare. Zoti Ahtisari i bëri këto komente sot gjatë një takimi në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos, Jaap de Hoop Scheffer.

Ish Presidenti Finlandez u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos Jaap De Hoop Schefer para se të informonte Këshillin vendim-marrës të aleancës mbi ecurinë e bisedimeve të tanishme të Vjenës.

“Qëllimi i negociatave, është që përmes bisedimeve të krijohen kushte të sigurta pune e jetese për pakicat, veçanërisht për pakicën serbe në Kosovë.”

Cilido qoftë statusi përfundimtar, tha ai, në Kosovë është e nevojshme një prani ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jaap der Hoop Scheffer shprehu mbështetjen e aleancës për misionin e zotit Ahtisari.

“KFOR-i është në Kosovë për të mbrojtur shumicën dhe pakicën, përfshirë objektet kulturore e fetare, për të mos lejuar elementë keqbërës ta keqpërdorin situatën dhe misionin e vështirë që po kryeson Presidenti Ashtisari. Natoja është atje për të qëndruar.”

Zoti Scheffer, tha se prania e Natos është e rëndësishme dhe ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës të marrin pjesë në institucionet e saj.

“Ka ende shumë për të bërë dhe kjo përfshin plotësimin e sstandarteve. Unë do të doja të shihja që në Kosovë komuniteti serb të merte pjesë aktive në institucionet e saj dhe që Beogradi ta nxiste një pjesëmarje të tillë.”

Zoti Ahtisari tha se objektivi i procesit që ai drejton është përfundimi i biseidmeve brenda këtij viti.

“Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje brenda këtij viti, në qoftë se dy komunitetet përparojnë në bisedime. Kam thënë më parë se ka edhe zgjidhje diku midis dy vairanteve, midis një zgjidhje me marrëveshje dhe një zgjidhje të imponuar. Jeta ofron një llojshmëri midis këtyre dy ekstremeve. Në se zgjidhja nuk do të arrihet më 31 dhjetor dhe shtyhet për fillimin e vitit tjetër, ashtu do tëp bëjmë. Por afati që na është caktuar është fundi i këtij viti, nuk na është dhënë afat i dytë.”

Brukseli ishte ndalesa e parë e zotit Ahtisari në një turne gjatë të cilit ai do të vizitojë edhe Pragën, Moskën dhe Pekinin.

XS
SM
MD
LG