Lidhje

Me shkencëtarin e ri shqiptar Visar Belegu ne Institutin Kenedi Krieger


Po t'i hidhet një vështrim historisë së emigracionit shqiptar, veçanerisht atij në Amerikë vihet re, se 100 vjet më parë shqiptarë mund të gjeje në çdo rrugë kryesore të qyteteve të mëdha duke punuar si shitës frutash e pronarë kjoskash, ndërsa sot ata mund të shihen duke punuar edhe në institucionet më të rëndësishme qeveritare, politike, arsimore e shkencore kudo në Shtetet e Bashkuara. I tillë është Instituti Kenedi Krieger në Baltimor, ku shkencëtari i ri shqiptar Visar Belegu, punon si neurolog pranë kesaj qëndre të njohur botërore në fushën e kërkimeve shkencore.

Doktor Belegu emigroi nga Kosova në Amerikë para 12 vjetëve. Në atë kohë, vendlindja e tij ndodhej në një udhëkryq dhe Visari, i cili sapo kishte mbaruar shkollen e mesme të sistemit paralel të arsimit, dhe duke e parë gjendjen në Kosovë ashtu siç ishte, e zymtë e pa asnjë perspektivë, vendosi të merrte rrugën e mërgimit.

“Gjithmonë kam pasë dëshire t’i vazhdoj studimet e larta, që të kryej një shkollë për të patur një pune sa me të suksesshme, që të kem një ndikim më vonë në jetë, prandaj kam qënë i motivuar. Kur erdha ne Amerikë kam pasë shume fat që m’u dha mundësia për të vazhduar studimet e larta”.

Tani Visar Belegu mban titullin profesor-doktor dhe prej dy vjetësh merret me punë kërkimore-shkencore në fushën e neurologjisë në Qëndrën ndërkombëtare për trajtimin e dëmtimeve të shtyllës kurrizore, pranë Institutit Kenedi Krieger në Baltimor të shtetit Meriland.

“Projektet me te cilat jam duke punuar”, thotë doktor Belegu, “kanë të bëjnë kryesisht me studime në fushën e qelizave fillestare (embrionale) si përdorim për terapi të boshtit të dëmtuar kurrizor dhe studime rreth një një terapie që ka të bëjë me përdorimin i aktivitetit për të rigjeneruar sistemin nervor të personit me shtyllë kurrizore të dëmtuar. Kjo terapi ka filluar kur profesor Xhon Makdonald, me të cilin unë puno,j e aplikoi për trajtimin e aktorit të njohur Kristofor Riv dhe pastaj e vazhdoi me pacientë të tjerë. Deri tani kjo terapi është treguar shumë efikase, është 70 përqind efikase tek personat, të cilët janë në fazën 2 vjet pas lëndimit të shtyllës kurrizore. Tek këta pacientë përtëritja është vënë re jo vetëm tek muskujt dhe eshtrat por edhe tek sistemi nervor, gjë që ka qënë një gjë shumë e veshtirë të arrihej”.

Doktor Belegu thotë se shtylla kurrizore është një prej organeve më të vështira për t'u rigjeneruar apo per t'u sheruar pas dëmtimit dhe deri më sot shkencëtarëve u kane munguar mjetet per klasifikimin e këtyre dëmtimeve përsa i përket aspektit molekular.

“Studimet që tani jemi duke berë, duke përdorur rezonancën magnetike po na ndihmojnë, veçanërisht në klasifikimin e shkallës së dëmtimit të shtyllës kurrizore. Rigjenerimi është nje aspekt tjetër, por që fillon me klasifikimin e lëndimeve”.

Megjithëse i larguar prej vitesh nga Peja e Prishtina, doktor Belegu mban lidhje të ngushta me vendlindjen dhe ofron ndihmën e tij kur mundet.

“Në Kosovë ka njerëz me lëndime traumatike dhe jo-traumatike të boshtit kurrizor. Është një rast aktual, një i ri me emrin Valon i cili u lëndua menjëherë pas luftës në bazenin e Prishtinës. Ai ka dëmtim të rëndë të boshtit kurrizor, po ka perspektivë per rigjenerim. Mbi të gjitha ai beson se do të shërohet”.

Doktor Belegu dhe kolegët e tij amerikanë po përpiqen pranë administratës ndërkombëtare UNMIK dhe qeverisë së Kosoves për të siguruar mjetet e nevojëshme që Valonin të vijë për terapi në Qëndrën ndërkombëtare për trajtimin e shtyllës se dëmtuar kurrizore, pranë institutit Kenedi Krieger.

XS
SM
MD
LG