Lidhje

Debati mbi pushtetin e degës ekzekutive dhe legjislative në Shtetet e Bashkuara


Një kontroll i fundit i FBI-së në zyrat e një ligjvënësi në kongres – i pari këtij lloji në historinë e Shteteve të Bashkuara – ka ngjallur protesta nga ligjvënësit e të dyja partive, të cilët akuzojnë administratën e presidentit Bush se po dhunon ndarjen e pushtetit midis degës ekzekutive dhe legjislative të qeverisë. Por një degë e tretë e qeverisë, gjykatat, e autorizuan kontrollin bazuar në arsye të besueshme.

Agjentët federalë e kryen kontrollin më 20 maj. Ai kishte lidhje me hetimet për rryshfete që dyshohej se i ishin dhënë kongresmnentit demokrat William Jefferson nga Louisiana.

Jefferson dyshohet se ka marrë rryshfete për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për telekomunikacionet me tre vende afrikane. Ai i ka mohuar akuzat dhe thotë se ekzekutivi po bën kontrolle të paligjshme ndaj tij. "Me aq sa di unë, ekzekutivi nuk e ka një autoritet të tillë. Mbi të gjitha nuk kishte rrethana të ngutshme për t’u ndërmarrë një kontroll i tillë", thotë Jefferson.

Për të mos e lejuar ekzekutivin të ketë ndikim mbi ligjvënësit, kushtetuta amerikane i mbron anëtarët e kongresit nga arrestimet gjatë sesioneve legjislative, me përjashtim të rasteve kur akuzohen për tradhëti apo vepër kriminale.

Jefferson në fakt akuzohet për vepër kriminale – siç është marrja e rryshfeteve - dhe FBI-ja e ka të regjistruar në videokasetë duke marrë 100 mijë dollarë në dorë. Më vonë, 90 mijë nga këto dollarë u gjetën në frigoriferin e tij.

Gjithashtu, 9 muaj më parë, kongresmeni nuk përfilli kërkesën e gjykatës për të dorëzuar disa dokumente që lidheshin me çështjen. Vetëm atëherë FBI-a morri një urdhër nga gjykata për të kryer kontrollin.

Pikërisht për këtë arësye, thotë Roger Pilon, analist në institutin Cato në Washington, kontrolli i FBIsë ishte i ligjshëm. "Askush nuk po e akuzon administratën se po përpiqej të ndikonte tek Kongresi në një mënyrë apo një tjetër duke kryer këtë kontroll në zyrën e zotit Jefferson".

Pilon thotë se rasti kundër Jeffersonit është bindës edhe pa kontrollin në zyrën e tij. "Me sa duket arsyeja e këtij kontrolli në zyrat e kongresmenit ishte për t’ju përgjigjur pyetjes nëse skandali shkonte më tej, pra në se ligjvënës të tjerë ishin të përfshirë në të".

Midis atyre që protestojnë për kontrollin është kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Dennis Hastert. Rrjeti televiziv ABC njofton se vetë Hastert po hetohet pasi thuhet se ka pranuar para për të ndihmuar një klient të lobistit të dënuar Jack Abramoff. Hastert dhe Departamenti i Drejtësisë mohon të ketë ndonjë hetim, por rrjeti ABC nuk e ka tërhequr njoftimin e tij.

Ndërkohë, presidenti Bush ka urdhëruar që dokumentat e marra nga zyra e Jeffersonit, të mbaher të vulosura për 45 ditë, për të zgjidhur ndonjë çështje që mund të paraqitet dhe që lidhet me ndarjen e pushteteve. //rd//

XS
SM
MD
LG