Lidhje

Shtetëzimet e naftës dhe pasojat e saj


Nga Bolivia në Venezuelë e deri në Kazakistan e Rusi, po del në pah një prirje për të shtetëzuar sektorin e energjetikës. Shumë vëzhgues thonë se marrja nën kontroll e këtij sektori nuk është një prirje e përkohshme. Disa analistë thonë se kjo prirje mund të ketë pasoja negative, duke vënë në rrezik investimet e huaja, zhvillimet teknologjike dhe mundësinë për t’u futur në tregje me interes. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jela de Franceschi u hedh një vështrim pasojave që mund të hasin vendet prodhuese të naftës dhe gazit.

Vendet e pasura me burime energjetike po sillen me agresivitet dhe shumë vëzhgues thonë se kjo sjellje është shndërruar në normë. Bolivia është rasti më i freskët i shtetëzimit të sektorit energjetik. Këtë muaj ushtria mori nën kontroll fushat e pasura me gaz dhe dha urdhër që kompanitë e huaja të largohen nga Bolivia deri në tetor nëse nuk pranojnë kontrata më pak të leverdisshme.

Rritja e çmimeve të energjisë ka nxitur shumë vende të pasura me hidrokarbure të ndryshojnë parametrat e biznesit me investitorët e huaj. Nxjerrja në ankand e fushave që mendohet se kanë rezerva nafte në Algjeri, Libi dhe Egjipt ka rezultuar në kontrata që shumë drejtues kompanish parashikojnë se nuk do të sjellin të ardhura të mjaftueshme për të përballuar rreziqet në rritje.

Ky hap, argumenton Dennis de Tray i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Uashington, shpesh nxitet nga problemet në të cilat has një vend në zhvillim: De Tray Bota po përballet me çmime të larta nafte dhe shumë vende tani pyesin “Këto korporata po pasurohen, por kur do të na vijë radha ne që kemi mbetur të varfër?” Ky hap gjen mbështetje në vende ku niveli i varfërisë vazhdon të jetë i lartë. Saad Rahim është analist pranë firmës konsulente P.F.C Energy me seli në Uashington: "Këto vende po përpiqen të gjejnë diçka që i bën të rëndësishëm në arenën gjeopolitike. Përgjigja e vetme janë burimet natyrore, pasi janë e vetmja armë me të cilën mund të bëjnë presion. Por këtë gjë e bën çdo vend. Vendet e pasura përdorin fuqinë ekonomike për të ushtruar trysni politike. Nëse këto vende të pasura me burime energjetike do të ndeshen apo jo me pasoja si rrjedhojë e këtij veprimi, është tjetër çështje", thotë zoti Rahim.

William Ramsey, zëvendës-drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, një organizatë vëzhguese me qendër në Paris, thotë se shtetëzimi i burimeve energjetike shpesh ndikon negativisht në mbarëvajtjen ekonomike të vendit: "Sa herë që vendet angazhohen në shtetëzimin e burimeve energjetike dhe i rishikojnë kontratat që janë nënshkruar më parë dhe kanë filluar të zbatohen, rrezikohen marrëdhëniet me kompanitë. Veprime të tilla e vështirësojnë arritjen e marrëveshjeve me këto kompani në të ardhmen, pasi ato thotë : Më parë kontrata që kishim nuk u respektua, dhe mund të mos respektohet përsëri. Nëse krijon marrëdhënie të tilla me investitorët, vendi rrezikon të humbasë investime në ekonomi.

Shumë analistë vënë në dukje se burimet energjetike gjithnjë e më shumë po bëhen të paprekshme për investitorët ndërkombëtarë. Në vitet ’60, 85 për qind e rezervave të konfirmuara në botë ishin të hapura për investitorë të huaj. Aktualisht kjo shifër është ulur në 16 për qind. Në vitin 1979, kompanitë amerikane dhe britanike kishin nën kontroll rreth 28 për qind të prodhimit të naftës dhe gazit në botë. Në vitin 2004, këto kompani kishin në dorë vetëm 14 për qind të prodhimit, ndërsa pjesa tjetër kontrollohej nga kompani shtetërore.

Ndërkaq, vendet e pasura me burime energjetike kanë rritur mirëqënien ekonomike dhe kanë ulur varësinë nga investimet e huaja. Analisti Saad Rahim thotë se rezervat botërore të naftës mund të arrijnë pikën maksimale së shpejti, gjë që do t’i detyronte kompanitë ndërkombëtare të bashkëpunojnë me korporata shtetorore: Kemi bërë një studim të përgjithshëm të fushave naftë-mbajtëse në botë. Pëveç prodhuesve më të fuqishëm të OPEK-ut, vërehen prirje të rënies së fuqisë prodhuese të naftës. Rënia e prodhimit do të kufizojë edhe mundësitë e bashkëpunimit për shumë kompani duke filluar nga vitet 2010-2012. Ku do të shkojnë kompanitë ndërkombëtare më pas? Mendoj se ata do të pranojnë të bashkëpunojnë me korporatat shtetërore sipas kushteve që vendosin këto korporata".

Analistët pohojnë se prirjet që vërehen në sektorin energjetik botëror po i japin tipare të reja këtij sektori dhe se rezervat energjetike do të vazhdojnë të jenë burim si acarimesh ashtu edhe bashkëpunimi për vite të tëra në të ardhmen. //rd//

XS
SM
MD
LG