Lidhje

Gjermania thotë se Irani duhet të ndërpresë pasurimin e uraniumit  gjatë bisedimeve mbi paketën ndërkombëtare


Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se Irani duhet të ndërpresë pasurimin e uraniumit gjatë bisedimeve lidhur me një paketë ndërkombëtare të propozuar për të kufizuar programin bërthamor të Teheranit.

Zonja Merkel e përshkroi paketën e stimujve të përgatitur nga vendi i saj dhe pesë vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit si gjithëpërfshirëse.

Ajo e diskutoi këtë paketë sot me Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana. Zoti Solana ia dorëzoi ofertën Iranit dje dhe tha se është i gatshëm të kthehet në Teheran për bisedime të mëtejshme nëse është e nevojshme.

Presidenti Bush e mirëpriti përgjigjen e parë të Teheranit ndaj paketës, duke thënë se, mesa duket, Irani po i përgjigjet pozitivisht propozimeve ndërkombëtare.

Kryenegociatori iranian për çështjet bërthamore, Ali Larijani thotë se janë ndërmarrë disa hapa pozitive, por se paketa përmban gjithashtu paqartësi. Ai është angazhuar se Irani do ta shqyrtojë atë në hollësi.

XS
SM
MD
LG