Lidhje

Berisha: Pozita, opozita duhet të punojnë së bashku për reformat e nevojshme për anëtarësim në BE


Kryeministri Sali Berisha i tha Zërit të Amerikës se marrëveshja me Bashkimin Evropian, përfaqëson një detyrim për të gjitha forcat politike në Shqipëri, si në pozitë edhe në opozitë, që të punojnë bashkërisht për realizimin e reformave të nevojshme për anëtarësim. Kryeministri Berisha i dha një intervistë Zërit të Amerikës para largimit nga Luksemburgu:

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër çfarë përfaqëson marrëveshja e sotme për Shqipërinë?

Sali Berisha: Marrëveshja që ne nënshkruam sot për Shqipërinë përfaqëson kontratën më serioze, më të rëndësishme, që kombi ynë ka nënshkruar me vendet e Bashkimit Evropian, me vendet evropiane, në tërë historinë e tij. Ajo përfaqëson një horizon të ri për shqiptarët në rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian, përfaqëson një vlerësim për përpjekjet e tyre të mëdha gjatë këtyre 15 viteve, për të vendpsur në Shqipëri standarte të njohura nga institucionet demokratike, sikundër përfaqëson dhe një detyrim madhor për të gjithë shqiptarët, për qeverinë, për të gjitha forcat politike që të punojnë bashkërisht, për ta zbatuar në mënyrë korrekte dhe me shpejtësi këtë marrëveshje, në mënyrë që të ecim drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër megjithatë, rruga e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bahskimin Evropian, pritet të jetë një rrugë e gjatë dhe jo fort e lehtë. Cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të ndeshet Shqipëria në të ardhmen për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Sali Berisha: Ajo që thoni ju është reale. Natyrisht stadi aktual në të cilin ndodhet Bashkimi Evropian, parashtron legjitimisht kërkesa, standarte e cilësi të reja për ata që anëtarësohen, por duke qënë se këto janë në përputhje me interesin jetik të qytetarëve shqiptarë, unë gjykoj se është e vlefshme dhe e dobishme, që qeveria, forcat politike dhe qytetarët shqiptarë, të angazhohen me të gjithë seriozitetin për arritjen e tyre. Nga ana tjetër, nuk mund të mohoj se Shqipëria është një vend i varfër, me disnivele të mëdha me vendet anëtare. Duhen bërë përpjekje shumë serioze përmes reformave të gjithanshme për të shpejtuar zhvillimin e vendit, për të konsoliduar sdantartet demokratike, për të konsoliduar shtetin ligjor dhe luftuar varfërinë e prapambetjen reale që ekziston në shumë sektorë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, qeveria shqiptare ka marrë vlerësimeve pozitive për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, megjithatë një nga pengesat që ka ndikuar në vonesat në integrimet euro-atlantike të vendit tuaj, kanë qënë acarimet e brendshme politike. A mendoni se me marrëveshjen e sotme do të kemi një fazë të re të zbutjes së klimës politike dhe çfarë detyrimesh i takojnë qeverisë shqiptare për ta realizuar këtë?

Sali Berisha: Unë gjykoj se ky duhet të jetë një detyrim për të gjitha forcat politike dhe për qeverinë,në radhë të parë për qeverinë, sepse duhet pranuar në mënyrë të padiskutueshme se qeveria mban përgjegjësinë kryesore, dhe në këtë kontekst jam i bindur, se marrëveshja e stabilizim asocimit, përbën pjesën parësore të programit politik të të gjitha forcave politike madhore dhe atyre të koalicioneve të të dy anëve. Pra ajo përbën një bazë reale kompromisesh dhe bashkëpunimi për të gjitha forcat. Ne jemi të vendosur ta trajtojmë si të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha dhe së fundi, cilat janë emicionet që përjetoni ju sot?

Sali Berisha: Natyrisht jam ndjerë i gëzuar, optimist dhe krenar me firmosjen e saj. Nuk injoroj faktin se ka qënë një rrugë e vështirë dhe relativisht e gjatë, por në fund të fundit ka qënë një rrugë e suksesshme, sepse qytetarët shqiptarë në këtë 15 vite, pavarësisht nga vështirësitë që ka përjetuar Shqipëria, kanë qënë në një konstante ndryshimesh dhe kanë patur një nga konstantet më të mëdha të ndryshimeve krahasuar me vendet e tjera, po të kemi parasysh nga është nisur Shqipëria. Ndihem i sigurtë se Shqipëria do të ecë drejt procesit të integrimit pavarësisht nga problemet që ajo ka dhe trashëgon dhe pavarësisht nga lodhja që është shfaqur ndaj procesit të zgjerimit. Detyra jonë është që të respektojmë dhe instalojmë norma, standarte dhe institucione demokratike dhe t’i konsolidojmë ato. Askush nuk mund të verë në dyshim identitetin tonë, i cili, ka qënë dhe mbetet një identitet qartësisht evropian. Ne nuk kemi vend tjetër përveçse në familjen e kombeve evropiane.

XS
SM
MD
LG