Lidhje

Të rinjtë për futbollin


Një grup futbollistësh të rinj nga e gjithë bota kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara të ftuar nga Departamenti i Shtetit me rastin e Botërorit 2006 që po zhvillohet në Gjermani. Gjatë vizitës, atletët po përqafojnë moton e kampionatit “Koha Për Të Bërë Miq” .

Lojtarët e rinj janë nga e gjithë bota: Afrika, Amerika e Jugut, Azia, Lindja e Mesme, dhe kanë një gjë të përbashkët – u pëlqen futbolli.

Atletët e rinj nga mosha 13 deri në 18 vjeçare po kalojnë dy javë së bashku në kuadrin e Nismës Sportive të Botërorit, një partneritet midis qeverisë amerikane dhe organizatave kryesore të futbollit në Shtetet e Bashkuara. Ja ç’thotë David Tyahla i Fondacionit amerikan të Futbollit. "Është mënyrë shumë e mirë për t’ju përgjigjur motos së Botërorit që organizatorët gjermanë e kanë quajtur “Koha për të Bërë Miq”. Ky është edhe kuptimi i motos - kapërcimi i kufijve dhe grumbullimi i të gjithëve në këtë lojë botërore", thotë zoti Tyahla.

Atletët e rinj kaluan një javë në Washington DC duke mësuar rreth futbollit në Shtetet e Bashkuara. Shkëlqimi në fushë ishte një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të kësaj jave.

Por organizatorët shpresojnë se futbollistët e rinj do të marrin me vete një mesazh edhe më të rëndësishëm kur të kthehen: si të kthehet suksesi në sport në sukses jashtë fushës. Sasho Cirovski drejton ekipin e futbollit në Unversitetin e Merilendit: "Fitorja jonë më e madhe është jo të mos rrëzohemi asnjëherë por të ngrihemi çdo herë që rrëzohemi. Ky është mësimi që merr nga sporti - kur rrëzohesh duhet të ngrihesh përsëri. Mëson nga gabimet". Cirovski thekson rëndësinë e suksesit në sport por edhe në shkollë në përgatitjen për pjesën tjetër të jetës dhe i inkurajon lojtarët t’i ndjekin të dyja.

Megjithëse gjatë javës u trajtuan tema të tilla si puna në grupe, shkëmbimi kulturor dhe zgjidhja e konflikteve, vizita ka si synim edhe krijimin e miqësive të reja dhe argëtimin. Anna është nga Uzbekistani."Kam lidhur shumë miqësi. Disa prej tyre janë bërë miqtë e mi më të ngushtë".

Për shumë nga të rinjtë, kjo ishte hera e parë jashtë vendit të tyre. Simon Norton ekspert i organizatës World Learning, e cila punon rregullisht me të rinjtë në përpjekjet për ndërtimin e paqes, beson se kalimi i kohës së bashku ka qënë një përvojë e mirë për atletët. "Ka shumë të mira që vijnë nga kuptimi i kulturave të tjera dhe ky ishte një rast i mirë për të qënë pranë dikujt nga një vend tjetër, një kulture tjetër, një feje tjetër apo race tjetër", thotë Norton.

Dhe këto përvoja të ndryshme kanë patur ndikim tek grupi. Memory, një lojtar i ri nga Uganda është prekur veçanërisht nga leksionet e jetës që mori këtë javë dhe ka këtë këshillë për të tjerët. "Duhet të vazhdojnë të luajnë futboll, të luajnë sportin e tyre, pasi çdo aktivitet sportiv që kryen të çon kudo". Dhe futbolli do ta çojë këtë grup të rinjsh atletë në Kampionatin Botëror për të parë një ndeshje në stadiumet e Gjermanisë. //rd//

XS
SM
MD
LG