Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku shprehu gadishmërinë e qeverisë së tij për përmirësimin e jetesës së sërbëve dhe pakicave të tjera në Kosovë, por shtoi se Beogradi me ndërhyrjet e tij e pengon një gjë të tillë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës që sapo përfundoi në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Çeku tha gjithashtu se edhe vetë sërbët e Kosovës duhet t'i lejojnë autoritetet që t'i ndihmojnë në synimin për integrimin e tyre.
Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, kjo ishte vizita juaj e parë në Uashington që kur u bëtë kryeministër i Kosovës. Ju patët një sërë takimesh të karakterit politik por edhe ekonomik. Me çfarë përshtypjesh po largoheni, a i realizuat synimet që kishin për këtë vizitë?
Agim Çeku: Ishte një vizitë e suksesshme dhe padyshim po largohem shumë më optimist sesa kur erdha nga Kosova. Takova zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit, në Këshillin Kombëtar të Sigurimit, isha prezent edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe takova edhe përfaqësues përmenent të misioneve të ndryshme të Këshillit të Sigurimit. Gjithashtu kam takuar diasporën shqiptare, shumë senatorë dhe kongresmen dhe së fundi edhe presidentin e Bankës Botërore, zoti Paul Wolfovic. Kështu që vizita ishte me karakter politik por edhe ekonomik.
Zëri i Amerikës: Çfarë çështjesh ngritët ju në këto takime dhe a morët përgjigjen që prisnit?
Agim Çeku: Në çdo takim që kemi patur e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe që nuk ka lëvizje nga ky pozicion. Të mos pres askush që ne mund të bëjmë lëvizje nga ajo që dëshirojmë që Kosova të jetë e pavarur, me një pavarësi të pakushtëzuar dhe me një sovranitet të plotë, me ulse të përhershme në Kombet e Bashkuara. E kemi bërë të qartë që Kosova duhet të jetë një shtet normal dhe dëshirojmë që Kosova të jetë një shtet funksional, ekonomikisht dhe politikisht i qëndrueshëm, shtet modern, demokratik, multietnik, shtet i cili aspiron integrimin në Nato dhe në Bashkimin Evropian , shtet i cili të jetë forcë për stabilitetin në rajon, domethënë që të kontribuojë në ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore etj, dhe kemi siguruar bashkëbiseduesit tanë se Kosova ka potencial që ta ndërtojë një shtet të tillë dhe ka një potencial që ta udhëheq një shtet të tillë.
Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, palës shqiptare i është kërkuar vazhdimisht që të përmirësojë gjendjen e pakicës serbe dhe ky është një nga standartet më problematike në Kosovë. Madje edhe gjatë këtyre ditëve që ju ishit këtu në Uashington ka patur disa incidente. Çfarë mund të bëjë qeveria juaj më shumë për të përmirësuar sigurinë dhe lirinë për pakicat, veçanërisht për atë serbe?
Agim Çeku: Unë nuk mendoj se kemi nevojë të na inkurajojë dikush se duhet të kujdesemi për gjendjen e pakicave. Kemi nevojë të na mbështesë dikush që të kemi mundësinë të kujdesemi më shumë për gjendjen e tyre. Është e vërtetë që është konstatuar edhe në Këshillin e Sigurimit se gjendja e pakicës sidomos serbe në Kosovë nuk është e kënaqëshme por gjithashtu është konstatuar se përgjegjësinë për këtë nuk e mban vetëm qeveria e Kosovës dhe populli në Kosovë, por një përgjegjësi të madhe e mban edhe qeveria serbe e Serbisë edhe vetë udhëheqësit e tyre vendorë të cilët nuk tregojnë një vullnet të mirë, nuk tregojnë një gadishmëri që të integrohen dhe nuk tregojnë gadishmëri që të na lejojnë të ndihmojmë më shumë. Sidoqoftë kjo nuk është arsyetim për neve që të mos bëjmë përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e pozitës së tyre. Do të jetë kjo një dëshmi që ne me të vërtetë jemi duke ndërtuar një vend demokratik, një vend i cili do të udhëheqë në përputhje me normat më të avancuara ndërkombëtare për trajtimin e qytetarëve dhe të pakicave. Qeveria e Kosovës, unë personalisht dhe institucione të tjera do të bëjmë atë që është e mundur që të akomodojmë serbët në Kosovë, të akomodojmë pakicat e tjera që ti bindim ata që të rezistojnë ndaj qëllimeve të Beogradit dhe ti pranojnë ofertat tona se janë të sinqerta, janë zemërgjera janë bujare dhe besoj që jam i bindur se ata kanë një të ardhme në Kosovë si të gjithë qytetarët dhe ne dëshmojmë gadishmërinë tonë që të jemi qeveri e përgjegjëshme ndaj gjithë qytetarëve sidomos ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
Zëri i Amerikës: Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i dërguari amerikan për statusin, ambasadori Frenk Uizner tha se sa ç’është i rëndësishëm përcaktimi i statusit përfundimtar, po aq i rëndësishëm është edhe krijimi i institucioneve funksionale në një Kosovë të së ardhmes. Një nga problemet kryesore që po lind sot në Kosovë është çështja e korrupsionit. A ka qeveria juaj ndonjë strategji për ta luftuar këtë problem? Si do të merreni ju me këtë çështje?
Agim Çeku: Është fakt se qeveria jonë nuk mendon vetëm për statusin por mendojmë edhe për pas tij. Shumë kohë, shumë energji dhe burime shpenzojmë në atë drejtim. Statusi është vetëm një pistë e punës sonë. Kosova duhet të jetë një shtet funksional. Për të qënë e tillë duhet një qeveri funksionale, kompetente, transparente e përgjegjëshme. Në asnjë lloj qeverie nuk ka vend për korrupsion, nuk ka vend për keqpërdorime dhe nuk do të ketë as hapësirë për një gjë të tillë. Fatkeqësisht ne jemi të ballafaquar me pasojat e luftës, pasoja me të cilat janë ballafaquar të gjitha vendet në tranzicion dhe nuk jemi imunë ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve në detyrë. Por është një vullnet i mirë, është krijuar një moment që këto dukuri janë të papranueshme edhe nga shoqëria edhe nga institucionet dhe bëjmë ç’mos që ti luftojmë dhe ti parandalojmë. Jemi duke vendosur instrumete, masa të ndryshme. Kemi vendosur auditorë në çdo ministri që nga zyra e kryeministrit, në çdo komunë. Jemi duke krijuar agjenci kundër korrupsionit, jemi duke nxjerrë akte ligjore që të mundësojnë luftën ndaj këtyre dukurive. Po mundësojmë edhe qasjen e qytetarëve në punën e qeverisë, duke hapur tryeza për komunikim . Çdo rezultat të auditorit ja kalojmë prokurorit publik, policisë e cila duhet të merret me këtë punë. Nuk ka në qeveri vend, nuk ka mbështetje. I vetmi aleat i qeverisë së Kosovës është dhe do të jetë vetëm ligji dhe askush tjetër.
Zëri i Amerikës: Në këtë kuadër, a priten ndryshime në qeverinë tuaj? Shtypi në Kosovë ka spekulluar për ndryshime të mundëshme.
Agim Çeku: Shtypi... normal që është puna e shtypit. Por nuk do të ketë asnjëherë ndryshime vetëm për të kënaqur parashikimet e shtypit apo të dikujt tjetër. Ndryshime do të bëhen në se vërtet vërtetohen shkelje apo abuzime në detyrë. Ne duhet të kemi përmbajtjen, të kemi fakte, të kemi argumentet ...
Zëri i Amerikës: Pra ekziston mundësia e bërjes së ndryshimeve..
Agim Çeku: Gjithmonë ekziston mundësia. Nuk do të thotë që po kaloi 100 ditëshi i qeverisë, që ka përfunduar edhe përgjegjësia apo vlerësimi i ministrave. Vlerësimi i tyre është një proces i vazhdueshëm.
Zëri i Amerikës: Ju u takuat sot edhe me presidentin e Bankës Botërore. Për çfarë biseduat me të?
Agim Çeku: Ishte një takim shumë konstruktiv. Biseduam për situatën ekonomike në Kosovë, për vizionin tonë ekonomik dhe për mbështetjen e Bankës Botërore për ta ndërtuar përfundimisht këtë vizion për të mbështetur projekte të ndryshme sidomos për projekte në fushat e energjisë, transportit, infrastrukturës, krijimin e fondeve të ndryshme, financimin për borxhet e Kosovës që do të paraqiten tani përpara negociatave që të përcaktohen përfundimisht e të dokumentohen apo mundësia që të shlyhen apo falen. //rd//