Italianët po votojnë në një referendum mbi ndryshime të mëdha në kushtetutën e pas-Luftës së Dytë Botërore të vendit.
Ndryshimet ishin miratuar nga qeveria e mëparshme e qendrës së djathtë e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni. Hartuesit e amendamenteve thonë se ato do të rrisin qendrueshmërinë politike përmes konsolidimit të kompetencave të kryeministrit.
Ndër kundërshtarët është edhe kryeministri i qendrës së majtë, Romano Prodi, dhe disa ekspertë kushtetute. Ata thonë se plani i Berluskonit është konceptuar gabim dhe do t’i jepte pushtet të tepruar kryeministrit.
Ndërmjet ndryshimeve të propozuara, kryeministri do të kishte fuqi të caktonte dhe shkarkonte anëtarët e kabinetit dhe të shpërndante parlamentin.
Tani për tani, vendime të tilla duhet të miratohen nga presidenti. Qendrat e votimit u hapën të dielën në mëngjes dhe do të mbyllen të hënën pasdite.//ii