Lidhje

Karzai: Mbeturinat e regjimit taleban nuk përbëjnë kërcënim


Presidenti afgan Hamid Karzai thotë se mbeturinat e regjimit të rrëzuar taleban nuk përbëjnë kërcënim për qeverinë e tij. Zoti Karzai tha në një intervistë për rrjetin televiziv CNN se luftëtarët talebanë kryejnë sulme ndaj shkollave dhe civilëve, por shtoi se ata janë shumë të pakët në numër krahasuar me forcat ushtarake afgane.

Udhëheqësi afgan gjithashtu kritikoi udhëheqësin taleban në arrati Mullah Omar, i cili qëndron i fshehur, ndërsa bën thirrje për sulme ndaj qeverisë afgane. Televizioni pakistanez GEO sot transmetoi një regjistrim që thuhet se ishte zëri i udhëheqësit taleban, i cili pretendonte se forcat ekstremiste kanë nën kontrollin e tyre një numër të madh krahinash të vendit. Por një burim që pretendon se është zëdhënës i talebanëve, tha se kaseta nuk ishte e vërtetë.

Vriten dy ushtarë të koalicionit dhe 45 afganë në një betejë

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan thotë se dy ushtarë të tij dhe rreth 45 kryengritës u vranë gjatë një beteje në provincën jugore të Kandaharit. Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se dy ushtarët u plagosën gjatë një sulmi ndaj një strehimi të kryengritësve në distriktin Panxhuai dhe vdiqën më vonë nga plagët. Komandanti afgan në rajon thotë se luftimet me kryengritësit filluan mbrëmë vonë dhe zgjatën disa orë.

Më shumë se 10 mijë trupa janë përfshirë në një operacion të gjerë në Afganistanin Jugor, i cili synon pakësimin e veprimtarisë në rritje të kryengritësve. Gjatë dy ditëve të fundit janë vrarë më shumë se 100 ekstremistë. Ndërkohë në provincën verilindore të Nuristanit, kryengritësit talebanë morën peng pesë punonjës afganë të shëndetësisë, mes tyre edhe dy mjekë. Zyrtarë vendas thonë se një prej të rrëmbyerve punonte për Komitetin Suedez për Afganistanin – agjenci jo-qeveritare ndihmash.//lk

XS
SM
MD
LG