Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se raundi i fundit i bisedimeve teknike midis Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë, i ka ngushtuar diferencat mes palëve, por pa arritur në ndonjë marrëveshje.
Delegacioni i Kosovës ra dakort ta shtojë numrin e komunave me shumicë serbe nga 4 në 6, por shtimi ishte shumë më pak, nga sa kishte kërkuar pala serbe, 14. Po ashtu nuk pati ndonjë marrëveshje që komunat serbe të kenë të drejtë të kontrollojnë policinë dhe të kenë lidhje të veçanta me Beogradin.
Po sot Presidenti i Serbisë, Boriç Tadiç, tha se do të marrë pjesë në takimin e javës së ardhshme me udhëheqësit shqiptarë, mbi të ardhmen e Kosovës.
Duke folur sot në Vjenë, zoti Tadiç tha se është i kënaqur që ndërmjetësit e Kombeve të Bashkuara i kishin sqaruar ato që ai i quajti “probleme teknike shumë të vogla” dhe që rrezikonin pjesëmarrjen e udhëheqësve serbë në bisedime. Bisedimet janë në plan të zhvillohen të hënën në Vienë.
Dje, udhëheqësi serb, përsëri paralajmëroi se dhënia e pavarësisë Kosovës, një kërkesë e shqiptarëve mund të krijojë paqëndrueshmëri të mëtejshme në Ballkan, si dhe një precedent të keq për vende të tjera të botës, që kanë probleme të ngjashme.