Lidhje

Kryeministri i Kosovës kërkon forcimin e sigurisë në veri


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku u bëri thirrje sot forcave paqeruajtëse dhe policisë së Kombeve të Bashkuara që të shtojnë masat e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Gjatë një vizitë të paparalajmëruar në disa zona të veriut, ai tha se nga Serbia në këtë pjesë të Kosovës hyjnë njerëz, mjete e para me të cilat financohen e mbështeten strukturat paralele në Kosovë, prandaj është e domosdoshme që atje të ketë masa shtesë të sigurisë.

“Ne kërkojmë nga KFOR-i dhe UNMIK-u që kjo pjesë e Kosovës të izolohet nga Serbia. Të izolohet edhe politikisht edhe praktikisht, të vendosen masa në kufi, të njëjta si çdo kund përreth Kosovës. Deri më tash kanë qenë masa të lehta dhe qytetarët që kanë ardhur nga Serbia nuk e kanë pasur përshtypjen se aty ka një kufi, por kanë pasur përshtypjen që kufiri është ura e Ibrit”, tha ai.

Kryeministri Çeku ka shmangur gjatë kësaj vizite pjesë më të ndjeshme ne vetë veriun e qytetit të ndarë të Mitrovicës që vlerësohet edhe si pika më e nxehtë në Kosovë. Afrimi I fundit të procesit të negociatave për statusin politikë të Kosovës ka bërë që të shtohen edhe shqetësimet për gjendjen e sigurisë, veçanërisht ne veriun ku shumicë janë pjesëtarët e komunitetit serb të cilët kundërshtojnë çdo formë të pavarësimit të Kosovës.

Gjatë kësaj jave NATO-ja ka filluar vendosjen e 650 trupave gjermane në Kosovë në kuadër të një operacioni për të dëshmuar, siç thuhet, përkushtimin ndaj një mjedisi të sigurt në Kosovë. Zyrtarë të forcave paqeruajtëse në Prishtinë thanë se trupat janë pjesë e Forcës Operacionale Rezervë të NATO-s dhe vendosja e tyre bëhet për të vërtetuar aftësitë e NATO-së për të përforcuar trupat në terren brenda një kohe të shkurtër. Ata thanë se KFOR-I do të shtojë praninë në veriun e Kosovës, në mënyrë që të sigurojë qytetarët për përkushtimin e NATO-së ndaj sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Ndërkaq mbi 500 pjesëtarë të policisë së Kombeve të Bashkuara dhe 300 pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës janë vendosur në veri për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm gjatë periudhës nëpër të cilën po kalon Kosova. Shtatë vjet pas përfundimit të luftës, Mitrovica vazhdon të jetë e ndarë në dy pjesë, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Prishtina zyrtare është pajtuar që të krijohen dy komuna të veçanta në kuadër të qyteti të bashkuar, por kjo është kundërshtuar nga serbët e veriut dhe nga Beogradi.

XS
SM
MD
LG