Lidhje

Ushtria izraelite kap tre guerilje Hezbollah


Ushtria izraelite thotë se ka kapur tre guerilje Hezbollah pas luftimeve të ashpra në thellësi Libanit, në qytetin verilindor Balbek. Komandot izraelite të aviacionit ndërmorën gjatë natës një sulm në Balbek që është bazë e Hezbollahut pranë kufirit me Sirinë.

Një zëdhënëse izraelite tha sot se gueriljet e kapura u dërguan në Izrael. Izraeli njoftoi se forcat e tij nuk pësuan dëme gjatë operacionit, i cili kishte si objektiv një spital të administruar nga Hezbollahu në Luginën e Bekasë.

Zyrtarë të sigurimit thotë se avionët izraelitë bombarduan një fshat aty pranë, duke shkatërruar disa shtëpi dhe vrarë të paktën 7 civilë.

Përveç operacionit në Balbek, luftime të ashpra janë duke u zhvilluar midis forcave izraelite dhe Hezbollahut në disa fronte përgjatë kufirit në Libanin e jugut.

NE FRONTIN DIPLOMATIK

Administrata e Presidentit Bush njoftoi dje se po bëhet përparim lidhur me ngritjen e një force paqeruajtëse ndërkombëtare për Libanin. Por politikani i njohur izraelit Shimon Peres tha në Uashington se për arritjen e paqes në Liban mund të duhen edhe disa javë.

Zyrtarë të administratës thanë se presin që Këshilli i Sigurimit të fillojë punën që këtë javë rreth një force të re ndërkombëtare për Libanin. Por ata janë më pak optimistë për një marrëveshje armëpushimi mbi bazën e së cilës forca e re do të dërgohej në rajon.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Toni Snou tha se ndalimi i luftimeve nuk duket të jetë i afërt. Këto komente bëhen në klimën e një diplomacie intensive në Kombet e Bashkuara, ku Sekretari i Përgjithshëm, Kofi Anan u takua me ambasadorët e të pestë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, ndërkohë që në Uashington zëvendëskryeministri izraelit Shimon Peres pati takime me zyrtarë të lartë të administratës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak tha se Shtetet e Bashkuara duan që sa më parë të shohin një zgjidhje të qendrueshme të dhunës në Liban dhe se prapa skenës po bëhet progres real në frontin diplomatik. Ai nuk bëri komente konkrete lidhur me atë se çfarë po i thonë Shtetet e Bashkuara Izraelit për ofensivën e tij në Liban, por tha se Uashingtoni po u kërkon izraelitëve të evitojnë viktimat e mëtejshme mes civilëve libanezë dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile të vendit.

”Ne nuk i japim Izraelit këshilla ushtarake se si t’i kryejë operacionet e tij. Por ne flasim në terma të përgjithshëm për faktin se është jashtëzakonisht e rëndësishme, pra jashtëzakonisht e rëndësishme, të evitohen vitimat mes civilëve. Kjo është shumë, shumë e rëndësishme. Gjithashtu, është me rëndësi të dorës së parë që Izraeli të mos ndërmarrë veprime të cilat minojnë qeverinë libaneze dhe infrastrukturën e saj.”

Zëvendëskryeministri izraelit, Peres pati dje takime të veçanta me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs dhe me Këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për sigurimin kombëtar, Steven Hadley. Ai u tha gazetarëve në Uashington se Izraeli nuk ka synime për të ripushtuar në mënyrë të përhershme pjesë të Libanit por as do të lejojë Hezbollahun të rikthehet në zonën kufitare nga e cila ai ndërmori rrëmbimin e ushtarëve izraelitë, gjë që çoi në luftimet e tanishme.

Peres, ish kryeministër i Izraelit dhe laureat i Çmimit Nobel të Paqes, tha se luftimet do të ndalen kur në rajon të jetë vendosur një forcë paqeruajtëse e efektëshme dhe kur Hezbollahu të jetë neutralizuar ushtarakisht, proces që ai tha se mund të kërkojë disa javë:

”Luftimet do të ndalen në momentin kur atje të jetë dërguar një forcë paqeruajtëse që do të kontrollojë pjesën jugore të Libanit, kur pengjet të jenë liruar, kur raketat të jenë nën kontroll dhe kur Hezbollahu të ketë pushuar së qenë një ushtri brenda ushtrisë. Atëhere ne do të kemi paqe, e cila për mendimin tim nuk është shumë larg. Ajo është çështje javësh dhe jo muajsh.”

Peres tha se sipas tij, luftimet arritën këtë javë një pikë kthese dhe se nuk ishte e rastit që numri i raketave të lëshuara nga Hezbollahu në Izrael kishte rënë ndjeshëm që nga e hëna.

Një zyrtar izraelit i partisë së zotit Peres tha se Izraeli kishte shkatërruar 70 përqind të raketalëshuesve me rreze të gjatë veprimi që përdor Hezbollahu dhe se pjesa tjetër ishte fshehur nga milicia, duke lënë vetëm topa të tipit të vjetër Katjusha që të qëllonin me raketa territorin izraelit.

Ai tha gjithashtu se megjithë njoftimet e shtypit për rezistencë të fortë nga ana e grupit shiit, Izraeli i ka shkaktuar një dëm shkatërrimtar qendrave të komandës së Hezbollahut, depove të tij të municionit dhe objekteve të tjera.

Zoti Peres shtoi se Irani ka humbur tani krahun e tij strategjik në Lindjen e Mesme. // ii

XS
SM
MD
LG