Lidhje

Banka Botërore në luftë kundër korrupsionit


Banka Botërore shpenzon gati 20 miliardë dollarë në vit për të nxitur zhvillimin ekonomik në vendet e varfëra. Barry Wood i Zërit të Amerikës njofton se banka ka forcuar përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe për t’u siguruar që paratë e saj përdoren aty ku duhet.

Paul Wolfowitz u bë president i Bankës Botërore në mars të vitit 2005. Që atëherë ai e ka bërë luftën kundër korrupsionit një nga përparësitë kryesore. Wolfowitz e quan atë një nga pengesat më të mëdha të zhvillimit. Ai ka ndërprerë apo ka shtyrë dhënien e huave për Çadin, Bangladeshin dhe Indinë ku janë zbuluar aktivitete të korrupsionit. Wolfowitz ishte një nga arkitektët e luftës në Irak kur ishte zëvendës sekretar i departamentit amerikan të mbrojtjes. Tani, ai po zhvillon një tjetër lloj lufte, duke financuar një studim të gjithanshëm për efektet e korrupsionit: "Thjesht fjala korrupsion tërheq vëmendjen e shtypit, por problemi i vërtetë që ne shqyrtojmë në Bankën Botërore është si të nxisim qeverisje më të mirë dhe përgjegjësi", thotë Wolfowitz.

Por nuk ka qënë gjithmonë kështu. Banka është akuzuar se ka mbyllur sytë para korrupsionit në vitet 1990. Ajo i dha miliarda dollarë hua qeverisë së Mobutu Sese Sekos në atë që atëherë quhej Zaire. Përkrahja e Bankës në privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore në Mozambik ishte e lidhur me një skandal financiar që kulmoi me vrasjen e një gazetari të respektuar dhe një analisti bankar në vitin 2000.

Profesori i ekonomisë Joe Hanlon thotë se Banka Botërore mban shumicën e fajit për krizën financiare të Mozambikut: "Kur Banka Botërore i detyroi bankat lokale t’u jepnin hua kompanive të privatizuara që bankat lokale thanë se nuk do të shlyheshin kurrë, Banka Botërore tha, duam të jepni hua sidoqë të jetë për të mbështetur privatizimin".

Në Mozambik, si në shumë vende të Afrikës, korrupsionin është një problem madhor që ndërlikohet edhe më tepër nga dominimi e një partie të vetme, mungesa e kontrollit brenda qeverisë, zbatimi i kufizuar i ligjit dhe lidhjet ndërmjet korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Paul Wolfowitz sapo është kthyer nga një projekt tjetër vëzhgimi në Afrikë. Ai vazhdon të theksojë luftën kundër korrupsionit. "Kur njerëzit mundohet të thonë se ka një ndryshim të madh midis zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit politik, ata nuk marrin parasysh faktin se kur ke shtyp të lirë, ke kontroll të korrupsionit që nuk ekziston kur shtypi është i kontrolluar".

Kritikët thonë se fushata e Wolfowitzit kundër korrupsionit është shumë e kufizuar. Grupet ambjentaliste, të të drejtave të njeriut dhe ato politike të majta duan që korporatat e lidhura me korrupsionin të hiqen nga projektet e Bankës Botërore. Ata thonë se tubacioni i naftës midis Çadit dhe Kamerunit dhe projekte të ngjashme vazhdojnë të pengohen nga korrupsioni. Por të tjerë i japin merita Bankës Botërore me fushatën për qeverisje më të mirë. Wolfowitz thotë se banka është e vendosur që paratë e saj të ndihmojnë të varfërit dhe të mos përfundojnë në xhepa të tjerë.

XS
SM
MD
LG