Lidhje

Sekretarja amerikane e Shtetit shpreson që rezoluta për Libanin të nënshkruhet brenda pak ditësh


Presidenti Bush po diskuton me këshilltarë të lartë në fermën e tij në Teksas lidhur me hapat për ndalur luftimet në Lindjen e Mesme. Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice thotë se një projekt-rezolutë e OKB-së që po shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit është hapi i parë drejt ndalimit të gjakderdhjes.

Sekretarja Rice thotë se është e rëndësishme që të votohet për rezolutën gjatë dy ditëve të arshshme për t’u dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe ekstremistëve të Hezbollahut në Liban: “Shpresoj që të shohim shpejt një fund të dhunës dhe operacioneve ushtarake masive dhe hedhjen e raketave”, tha sekretarja Rice.

Projekt-rezoluta që u hartua pas negociatave mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara, bën thirrje për ndërprerjen e luftimeve që do të çonte në një armëpushim të përhershëm. Sekretarja Rice e pranon se gjithsesi dhuna nuk do të ndërpritej menjëherë. Megjithatë ajo thotë se rezoluta do të ishte një hap i rëndësishëm përpara: “Nuk mund të them se përjashtohet mundësia e përplasjeve për një farë kohe. Por nuk do të jetë e përhershme. Synimi është që të krijohen kushtet për një armëpushim të përhershëm dhe të qëndrueshëm”.

Duke folur para gazetarëve pranë fermës së presidentit në Teksas, zonja Rice tha se kur të miratohet rezoluta, Këshilli i Sigurimit do të vazhdojë me fazën e mëtejshme dhe do të fillojë procesin e autorizimit të një force ndërkombëtare dhe forcimit të qeverisë libaneze. “Kjo është vërtet një mundësi për të shtrirë autoritetin e qeverisë libaneze në gjithë territorin e vendit. Ky duhet të jetë synimi. Të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen tek forcat ndërkombëtare, por forcat ndërkombëtare janë atje që të ndihmojnë në detyrën e rëndësishme që ka qeveria libaneze për të mbushur zbrazëtirën e krijuar në jug”.

Por zyrtarët libanezë e kanë kritikuar projekt-rezolutën sepse nuk bën thirrje për tërheqjen e plotë nga Libani të forcave izraelite. Sekretarja Rice u tha gazetarëve se ndërsa rezoluta nuk parashikon largimin e forcave, ajo parashikon masa për ndalimin e dhunës që ka shkaktuar aq shumë viktima mes popullsisë civile nga të dyja anët e kufirit Izraelito-Libanez. Ajo theksoi se askush, përfshirë qeverinë izraelite nuk do që forcat izraelite të qendrojnë pafundësisht. Ajo shtoi se rezoluta do t’i japë mundësinë botës të shohë synimet e vërteta të të dyja palëve në konflikt: Izraelit dhe Hezbollahut. “E di që Hezbollahu ka thënë plot gjëra. Kam dëgjuar të thonë se duhet të kemi një armëpushim të menjëhershëm, ose se do të vazhdojmë të luftojmë. I kam dëgjuar të gjitha këto. Por ne duhet të përqendrohemi që pasi të votohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit, atëherë do ta dimë se kush ishte i interesuar për ndaljen e dhunës dhe kush jo”. Zonja Rice tha se Shtetet e Bashkuara janë këshilluar edhe me anëtarë të Këshillit të Sigurimit për projekt-rezolutën.

XS
SM
MD
LG